Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka zbuluar detaje të reja mbi një hetim të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që sipas saj nis në vitin 2021 dhe lidhet me një skemë të gjerë pasurish, tjetërsimesh pronash dhe dyshimesh për lidhje me botën e krimit.
Sipas Lalës, hetimi ka si pikënisje sekuestrimin e një prone në zemër të Tiranës, pranë zonës së “Air Albania”, e cila dyshohet se ka kaluar përmes disa transaksioneve të dyshimta deri te persona të ndryshëm të përfshirë në hetim.
Është një hetim i vitit 2021, i cili ka nisur mbi bazën e një sekuestroje që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë për një pronë në zemër të Tiranës, ngjitur me Air Albania. Bëhet fjalë për një pronë të cilën e zotëronte Eldi Vizdari ose Denis Matoshi, një personazh kontrovers i botës së krimit… Më pas ka pasur kalime të kësaj prone me dhurim dhe tjetërsim deri tek duart e Artur Shehut, që rezulton edhe personazhi kryesor në këtë hetim.
Lala shtoi se hetimi është zgjeruar më tej pas ndërhyrjes së autoriteteve të huaja dhe letërporosive ndërkombëtare, ku përmenden edhe takime të përgjuara në Aruba, të lidhura me grupe të organizuara kriminale dhe figura të botës së krimit.
Kur mbërrin një letërporosi nga autoritetet spanjolle dhe belge, rezulton se kanë përgjuar një takim në ishullin e Arubës. Aty flitet për një zyrtar të lartë të paidentifikuar. Në atë takim ka qenë Artur Shehu bashkë me të besuarit e tij dhe disa personazhe të botës së krimit… të gjitha të dhënat janë vënë në dispozicion të palës shqiptare.
Në vijim, gazetarja përshkroi edhe zgjerimin e hetimeve në disa shtete evropiane dhe amerikano-latine, duke përmendur rrjete të dyshuara për trafik kokaine, pastrim parash dhe investime në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Sipas saj, strukturat hetimore kanë identifikuar dy grupe kryesore kriminale, të cilat dyshohet se operojnë në këtë skemë ndërkombëtare.
Prokuroria zbulon dy degëzime të rëndësishme në trafikun e kokainës. Njëri grup drejtohet nga Alfredo Hamzai, ndërsa tjetri nga Artur ose Luçiano Koçeku. Paratë dyshohet se janë pastruar në ndërtimin e kullave në Tiranë dhe në resorte në jug të vendit… Në total, bëhet fjalë për rreth 500 milionë euro pasuri të sekuestruara ose të ngrira.
Në përfundim të deklarimeve të saj, Lala e përshkroi këtë dosje si një nga më të mëdhatë të hetuara ndonjëherë në Shqipëri në fushën e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Është skema më e rëndësishme, skema më e madhe që është zbuluar deri më sot në kulla dhe resorte.



