
Shkodra u bë pjesë e protestave kundër dhunës seksuale nisur nga rasti i fundit i abuzimit me të miturën 15 vjeçe në Mirditë. Organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë të thjeshtë u bashkuan në këtë protest, e cila nisi tek sheshi para Bashkisë Shkodër. Fillimisht aktori Gert Palali performoi një pjesë artistike me tematike kundër dhunës seksuale.
Ndërsa protestuesit e tjerë kërkuan një reagim më të fuqishëm të shoqërisë dhe institucioneve kundër dhunës seksuale ndaj të miturve.
Pjesë e kësaj proteste ishte edhe deputetja e zgjedhur e PD-së për qarkun Shkodër, Greta Bardeli. Ajo ishte në këtë protestë si nënë dhe si grua duke dhënë mesazhin e saj ndaj abuzimeve seksuale me të mitur.
Protestuesit marshuan nga bashkia Shkodër përgjatë qendrës së qytetit, në pedonalen “Kolë idromeno”, deri tek vendi i quajtur “truma e dugajve të reja”, me pankarta në duar dhe thirrje kundër dhunës.
Edhe më herët është kërkuar një reagim më i fortë i shoqërisë kundër dhunës seksuale ndërsa këto raste sa vijnë dhe shtohen. Rastet e dhunës seksuale ndaj të miturve disa herë kanë prekur edhe qytetin e Shkodrës.



