Kryeministri Edi Rama është bërë në mënyrë virtuale pjesë e debatit për heqjen e taksës ndaj Serbisë nga qeveria e Kosovës. Në një postim në Tuiter, Rama del në krah të Albin Kurtit, ndërsa shton se ish-kryeministri Ramush Haradinaj po përpiqet ta baltosë pasuesin e tij në krye të qeverisë.
“Me paturpësi, Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka, por kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës”, shkruan Rama.
Në një status tjetër, Rama shprehet se “Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit”.
Nuk ka vonuar përgjigjja e Ramush Haradinajt, i cili shprehet se pas kthimit nga Rusia, Rama po vepron sipas këshillave të Sergei Lavrovit.
“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal, dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit. Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, shkruan ish-kryeministri.
Ramush Haradinaj, i cili një vit më parë mori vendimin për taksimin 100% të mallrave nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, është shprehur pak muaj më parë se ka pasur presion edhe nga kryeministri Rama për heqjen e taksës. Vendimi për heqjen e taksës, fillimisht vetëm për lëndën e parë dhe më pas për të gjitha mallrat, u njoftua pak ditë më parë nga kryeministri Albin Kurti, rreth një muaj pas formimit të qeverisë së re.



