Malajzia ndryshon pushtetin pas 61 vitesh, lideri i ri 92-vjeçari Mahathir Mohamad

Malajzia ndryshon pushtetin pas 61 vitesh, lideri i ri 92-vjeçari Mahathir Mohamad

Mahathir Mohamad mund të bëhet lideri më i vjetër në botë, në moshën 92-vjeçare, pas fitores së zgjedhjeve në Malajzi. Ish-kryeministri u kthye nga pensioni, për të marrë pushtetin nga Najib Razak, dikur i besuari i tij, tashmë nën akuza të forta për korrupsion. Fitorja e tij historike rrëzoi nga pushteti koalicionin Barisan Nasional, i cili ka qenë në pushtet që nga pavarësia në vitin 1957.

Mbështetësit e përhershëm të Mahathir mbushën rrugët pasi fitorja e tij u bë e qartë. Ndërsa Najib ka thënë se do të "pranojë vendimin e popullit", por korrespondentët e mediave ndërkombëtare analizojnë se një kalim i butë i pushtetit nuk është i lehtë pas një trazire aq të madhe politike.

Asnjë parti e vetme brenda koalicionit nuk arriti të fitonte shumicën, kështu që teknikisht tani i mbetet mbretit të Malajzisë për të vendosur se kush e formon qeverinë.

Rezultatet zyrtare treguan se opozita Pakatan Harapan - Aleanca e Shpresës - siguroi 113 nga 222 vende të kontestuara, ndërsa Barisan Nasional mori 79 vende.

Rritja e kostos së jetesës dhe akuzat e kahershme për korrupsion ndikuan te shumica e votuesve dhe i larguan ata nga Najib dhe koalicioni i tij qeveritar, dikur i patundshëm.

Mahathir ka qenë kryeministër dhe ka drejtuar koalicionin Barisan Nasional për 22 vite, që nga viti 1981 deri në vitin 2003. Nën drejtimin e tij, Malajzia u kthye në një nga “tigrat” e Azisë, siç njihet grupi i vendeve që përjetuan një rritje të menjëhershme ekonomike në vitet ’90. Por Mahathir gjatë qeverisjes u kthye në një figurë autoritare që përdori shpesh ligje kontraverse, për të burgosur kundërshtarët politikë.

Rasti më famëkeq është ai i kryeministrit Anwar Ibrahim, i cili u shkarkua dhe u akuzua për korrupsion dhe sodomi - dhe më vonë u burgos për akuzën e fundit - kur bëri thirrje për reforma ekonomike dhe politike.

Mahathir ka qenë gjithashtu mentori i Najib, i cili u bë kryeministër në vitin 2008. Najib është shoqëruar për shumë kohë nga akuzat për korrupsion. Ai është akuzuar për përvetësimin e 700 milionë dollarëve nga Fondi për Zhvillimin e Malajzisë, një fond shtetëror investimi që e themeloi vetë.

Najib i ka mohuar me forcë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij dhe ka dalë i pastër para autoriteteve malajziane, por fondi po hetohet nga disa vende të tjera. Najib është akuzuar se ka ndikuar në hetimet malajziane nëpërmjet shkarkimit të zyrtarëve kryesorë.

Këto akuza çuan në tërheqjen e Mahathir në vitin 2016 nga Barisan Nasional, për t’u bashkuar me Pakatar Harapan, me argumentin se ndihej “në siklet që e lidhin me një parti që shihet si mbështetëse e korrupsionit”.

Në janar të këtij viti, ai njoftoi se do të kandidonte sërish për drejtimin e vendit. / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy