Komuniteti shqiptar në Montreal të Kanadasë është vënë në lëvizje për të ndihmuar familjen e aktorit Shkëlqim Daja, pas vrasjes së djalit të tij 15-vjeçar gjatë një feste pak ditë më parë.
Shqiptarë që kanë emigruar në Kanada prej vitesh e kanë vizituar familjen Daja për t;i shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen pas humbjes së djalit të tyre të vetëm, shkruajnë mediat kanadeze.
“I gjithë komuniteti shqiptar, edhe ata që nuk e kanë njohur kurrë, janë organizuar dhe kanë vizituar shtëpinë e prindërve për t’u qëndruar pranë”, thonë përfaqësues të shoqatës kulturore Shqipëri Motreal.
Shqiptarët që jetojnë në Kanada, por edhe emigratë të tjerë në vende të ndryshme të Europës po kontribuojnë financiarisht për të ndihmuar familjen Daja për funeralin e djalit.
Familja Daja është vendosur në Montreal 13 vjet më parë. Djali i tyre 15-vjeçar u vra gjatë një feste të premten, pas një debati për një vajzë me një 16-vjeçar, i cili u arrestua me akuzën e vrasjes së shkallës së dytë.



