Deputeti dhe kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Nasip Naço theksoi në një intervistë ekskluzive për emisionin “Fact Check” nevojën që Shqipëria të vendosë në punë industrinë ushtarake.
Naço tha që Shqipëria ka zero xhiro vjetore nga industria ushtarake, por ka vetëm detyrime të prapambetura.
Deputeti tha që lidershipi politik në Shqipëri për 30 vite ka gjetur rrugën më të lehtë, duke boshatisur tunelet dhe depot e ushtrisë.
"Rreth muajit shtator kërkova nga z.Peleshi një interpelancë, në lidhje me industrinë ushtarake, dhe në veçanti mbi Kombinatin Mekanik të Poliçanit, duke i paraprirë buxhetit të vitit 2024. Janë 241 punonjës, prej disa vitesh, që s’janë paguar. Unë duke marrë shkas edhe nga lufta në Ukrainë, Lindjen e Mesme, apo gjithandej ku situata po zien, sigurisht kam kërkuar me të drejtë se çfarë bëhet me industrinë ushtarake. Unë s’pretendoj që industria jonë ushtarake të prodhojë dronë të sigurisë së lartë, por që të vëmë në punë këtë industri ushtarake”.
I pyetur sa dinjitoz është shteti kur s’paguan detyrimet ndaj qytetarëve, Naço tha:
"Këtu s’flitet për dinjitet. Të ndajmë burokratët e ministrisë nga lidershipi politik, sigurisht që pjesa burokrate do një presje, do një pikë dhe s’ishte kaq e lehtë që të kalonte dhe pr.ligji, duke marrë disa ministri miratimin dhe s’është një procedurë e lehtë për të kaluar. Unë përgjigjen nga z.Peleshi e mora. Pyetjeve të mia nëse ka kërkesa nga partnerë vendas apo të huaj, për ta marrë me koncesion, mu përgjigj që ka shumë kërkesa, nga shtetas turq, izraelitë, bullgarë, italianë, francezë. Përgjigjja që m’u duk çik evazive është që ne po bashkëpunojmë me NATO-n, nuk besoj se është NATO ajo që e zhvillon industrinë ushtarake. Bullgaria vetëm vitin e kaluar qarkullimin e industrisë ushtarake e ka pasur mbi 2 për qind të PBB-së”.
I pyetur a kemi ne xhiro vjetore të industrisë ushtarake?
"Ne e kemi zero, vetëm kemi detyrime te prapambetura. Ishin të gjitha këto argumente për t’i thënë ministrit publikisht edhe si deputet i zonës, dhe si kryetar i komisionit të sigurisë kombëtare, që cila është arsyeja që s’e zhvillojmë. Nuk kemi mundësitë, kapacitetet, s’duam, apo burokracia, administrate, apo lidershipi politik në 30 vjet ka gjetur rrugën më të lehtë, ka boshatisur tunelet dhe depot e ushtrisë. Industria ushtarake shqiptare është në konservim. Greqia, një vend anëtar i NATO-s, ka firmosur kontrata deri në 2025-ën prej 11,5 miliardë dollarë, për të eksportuar armë. Për sa kohë vendet e rajonit e bëjnë, edhe ne duhet ta zhvillojmë. Kalimi i pagave të punëtorëve, besoj është një paradhënie, që ne do ta vëmë industrinë ushtarake në punë, si vendet e rajonit”.
I pyetur sa e sigurt është Shqipëria, Naço thotë:
"Nëse këtë pyetje do ta kisha para se të bëheshim anëtarë të NATO-s, sigurisht do jepja notë minimale. Për sa kohë jemi vend anëtar i NATO-s, besoj që garancia është 100 për qind. Duhet të përgatitemi me luftë për të garantuar paqen”.



