Partia Demokratike i është rikthyer edhe njëherë tek protesta e 8 janarit e thirrur nga Seli Berisha, duke postuar pamjet e dhunës të asaj dite.
PD akuzon ish-liderin historik se ka përdorur banda kriminale për të goditur demokratët, ndërsa ka përcjellë edhe një mesazh se mbi rrënojat e së shkuarës do të ngrihet një PD moderne dhe evropiane.
Dhuna kundër PD u organizua dhe planifikua deri në detaje. Sali Berisha madje përzgjodhi një grup mercenarësh të drejtuar nga Flamur Noka për të goditur demokratët që ishin brenda selisë. Sali Berisha dhe banda e tij kriminale bënë gjithçka për të përplasur demokratët më njëri-tjetrin, por dështuan.
Kryesia e PD, Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar dhe mbarë demokratët qëndruan fort për të mos e kthyer partinë në bunkerin e një personi të shpallur non grata për korrupsion madhor nga partneri ynë strategjik.
Demokratët e kanë braktisur platformën e dhunës dhe të bashkuar do të ndërtojnë mbi rrënojat e se shkuarës, një PD moderne dhe europiane si alternativën më të mirë për ta nxjerrë Shqipërinë tonë nga tranzicioni 30 vjeçar.



