
Bashkimi Evropian e ka tashmë gati agjendën e raundit të radhës të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është planifikuar të zhvillohet në tri takime në Bruksel gjatë javës së ardhshme.
Lidhur me këtë, Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti, ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës ka marrë ftesë për t’u paraqitur në këto takime, porse ende, sipas tij, nuk i janë përgjigjur kësaj ftese.
“Po, ftesa ka ardhur! Ende nuk jemi përgjigjur. Kaq mund t’ju them tani për tani”, ka thënë Beqiri.
BE ka raportuar se planifikon t’i vë përballë Kosovën dhe Serbinë në tri takime të njëpasnjëshme, më 27, 28 dhe 29 shtator.
Takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç është planifikuar të mbahet të martën e 29 shtatorit.
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është raportuar se mund ta bllokojë dialogun, me Serbinë që po insiston që kjo të diskutohet në Bruksel. Kryeministri Avdullah Hoti, në një konferencë për media sot tha se kjo çështje është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.
Presidenti Hashim Thaçi dhe partitë opozitare gjithashtu kanë tërhequr vërejtjen që kjo temë të mos jetë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.



