Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani në një intervistë për mediat atje ka hedhur poshtë çdo mundësi për t’u ribashkuar me Lëvizjen Demokratike të Kosovës, partia ku ajo ishte nënkryetare dhe tentoi të kandidonte si kryeministre, por që u shkarkua me një votim nga anëtarësia.
Më vonë kryetari i saj Avdullah Hoti, njëkohësisht kryeministër i Kosovës, u shpreh se mund të ketë një ribashkim me Osmanin, por duket se kjo e fundit e ka mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull.
“Ekziston vendimi i votuar i Këshillit të Përgjithshëm. LDK-ja ka përfunduar gjithçka me mua me vendimin për të më përjashtuar. Kushdo që tenton të relativizojë një vendim të tillë që nuk është marrë për askënd tjetër në këto 30 vitet e fundit që ekziston LDK-ja, atëherë nuk i kupton proceset politike, ose tenton të largohe nga një përgjegjësi të cilën ata duhet ta marrin. Mua ma kanë bllokuar çdo mundësi për të kontribuar brenda LDK-së”, -u shpreh Osmani.
E pyetur se a do të mund të ketë koalicion mes nismës së saj, që do të krijohet në vijim, dhe LVV-së së Albin Kurtit, Osmani tha se kjo mbetet për t’u parë.
“Ne jemi në proces të konsolidimit të kësaj iniciative ku do ta kemi listën tonë, dhe pastaj kurdo që do të mbahen zgjedhjet do të ulemi dhe do të diskutojmë edhe me LVV. Do ta shohim se ku do të shpien ato negociata dhe do ta shohim a do të kemi koalicion parazgjedhor, apo paszgjedhor. Kjo është çështje e bashkëpunimit që mund të ndërtohet në të ardhmen,”- deklaroi Osmani.



