Ligji për gjuhën shqipe do të përgatitet këto tre muaj, konkretisht para zgjedhjeve lokale, por nuk është e sigurt se kur do të miratohet nga deputetët e Parlamentit të Maqedonisë.
Mediat në Maqedoni, thonë se Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, pasi të përgatitet nga Qeveria, do të dërgohet në Parlament dhe në Komisionin e Venecias.
“Qeveria do të përgatisë Ligjin për shqipen, i cili më pas do të shkojë në Parlament dhe në Komisionin e Venecias”, u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Dokumenti duhet njëherë të përgatitet në qeveri dhe më pas të dërgohet në Venecia për të marrë mendimin e këtij komisioni.
Për kalimin e ligjit për gjuhën shqipe brenda 100 ditëshit, kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela ka thënë se ka marrë garanci nga vetë kryeministri Zaev, dhe ky ka qenë njëri nga kushtet për të hyrë në bashkëqeverisje. Sela, ashtu si edhe përfaqësuesit e partisë së tij, nga të cilët më të zëshmit ishin ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Elmi Aziri, disa herë kanë këmbëngulur se nëse nuk kalon në kuvend ligji brenda 100 ditëshit të parë, kjo parti do të largohet nga koalicioni qeverisës me LSDM-në dhe BDI-në.



