Zhvillimet e fundit brenda kampit socialist dhe vala e qëndresës studentore po dëshmojnë lëkundje të forta në stabilitetin politik të mazhorancës. Politologu Ermal Hasimja, në MCN TV, ka komentuar takimin e Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me kryebashkiakun Erion Veliaj në mjediset e vuajtjes së dënimit, duke e cilësuar këtë situatë si një tregues të qartë të krizës së brendshme që po gjen fushë në Partinë Socialiste.
Sipas tij, pretendimet e qeverisë se vizita kishte qëllime thjesht inspektuese janë të vështira për t'u besuar, teksa argumentoi se balanca e besueshmërisë anon nga versioni i Veliajt, gjë që dëshmon për një thyerje të kontrollit të plotë që kryeministri pretendon se gëzon mbi strukturën partiake.
Është një përplasje me dy qëndrime të ndryshme, të them të drejtën më e besueshme është ajo që thotë Veliaj dhe më duket e vështirë që Gogu të ketë shkuar aty për të parë kushtet e Veliajt në burg. Kjo tregon krisjen e problemeve të brendshme brenda PS, të cilat me kalimin e kohës mund të dendësohen sepse partitë që krijohen me këtë lloj strukture, në një moment të caktuar vjen ajo pika ku secili mendon për veten e vet. Rama mendon se ka kontroll të plotë të PS, por në një moment të kthjellët mund ta kuptojë se nuk është ashtu, dhe Veliaj është një nga ato shenjat dhe për ne është goxha lajm goditës, jo më pastaj për vetë kryeministrin. Kishim dhe ato përpjekjet e Braçes pavarësisht votës për territorialen, apo mendimet e Spiropalit dhe të gjitha këto tregojnë atë krisjen brenda Partisë Socialiste.
Përtej zhvillimeve brenda strukturave të maxhorancës, Hasimja komentoi dhe protestat për të cilat u shpreh se pavarësisht ndryshimeve në formë apo cikleve të natyrshme të qetësisë, kauza e tyre mbetet jetike dhe nuk mund të fiket pasi motivimi i të rinjve është i bazuar në probleme reale.
Protestat funksionojnë me cikle kudo dhe vështirë është që ato të zgjasin si në rastin e Serbisë me dy vjet. Gjëja më e pamendueshme është që protesta të shuhet dhe fiket përfundimisht gjë që s'besoj se ka për të ndodhur. Mund të ketë një lloj qetësie por jo shuarje, se arsyet për të cilat është ngritur protesta janë aty, janë serioze. Të rinjtë e kanë marrë mbi supe rolin e udhëheqjes së protestave dhe përkundrazi mendoj se janë dhe më të motivuar se kanë parë fuqinë e tyre, kanë parë mbështetjen e opinionit publik dhe qoftë tani apo më vonë do dalin në protesta. Prandaj them se është momenti që Rama, qeveria ta kuptojë këtë gjë, se shuarja e protestës është thjesht një iluzion.



