Katër persona vdiqën këtë të hënë pasi një varkë me emigrantë u fundos në ishullin Lesbos në Detin Egje.
"Një varkë patrulluese e rojes bregdetare shpëtoi 22 të huaj në ishullin Lesbos. Katër emigrantë kishin vdekur. Të gjithë u transferuan në portin e Mytilene”, thuhet në një deklaratë të shkurtër nga policia portuale.
Për momentin autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi kushtet e fundosjes së varkës apo identitetin e personave.
Policia Portuale Greke me ndihmën e Agjencisë Evropiane të Mbikëqyrjes Kufitare, Frontex, patrullon rregullisht zonën detare në Detin Egje Lindor, përballë Turqisë nga ku shumë emigrantë përpiqen të kalojnë në Greqi shpesh me destinacion Evropën Perëndimore.



