
Eurodeputeti Fredi Beleri ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se Greqia "nuk ka gjunjë" për të vendosur veto ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në një intervistë për MCN, Beleri tha se historia tregon të kundërtën, duke kujtuar rastin e Maqedonisë së Veriut, të cilën Greqia e pengoi për një dekadë në rrugëtimin drejt NATO-s.
"Një shtet që e ka bërë një herë, mund ta bëjë edhe për herë të dytë," theksoi ai, duke shprehur shqetësimin se një veto greke ndaj Shqipërisë është e mundshme.
Sa i përket çështjes së tij në Gjykatën e Strasburgut, Beleri tha se procesi është tashmë në një fazë konfidenciale dhe se ai pret përgjigjen e shtetit shqiptar. Sipas tij, qeveria në Tiranë nuk duhet të mohojë të drejtat demokratike të qytetarëve, duke e quajtur situatën e tij një "goditje për drejtësinë e re" në Shqipëri.
Intervista e plotë:
-Zoti Beleri çështja juaj kalon në Gjykatën Europiane. Çfarë përfaqëson ky moment?
Çështja në gjykatën e Strasburgut ka të bëjë vetëm me masën e sigurimit dhe arrest në burg. Kishim kërkuar nga gjykatat e Brendshme masa më të lehta sigurimi, sepse nuk ekzistonte rreziku që unë të ikja.
Kisha fituar zgjedhjet dhe duhet të ushtroja mandatin për të cilin më kishte votuar populli. Gjykatat e brendshme më refuzuan kërkesën pesë herë. Gjykata e Strasburgut, pikërisht këtë çështje kanë ngritur, a është i ligjshëm arrestimi im dhe pse nuk kushtëzuan masa të tjera alternative sigurimi? Tashmë gjykata e Strasburgut, siç ka individualizuar rastet, ka përshtatuar një problematikë sistematike në Shqipëri me arrestimet dhe qëndrimet e tej zgjatura në arrest.
Kjo është goditja e radhës për drejtësinë e re. Gjykata e Strasburgut shtron dy gjetje, duke vënë në dukje edhe rastet e tjera problematike, si rasti Hysa, Goçe e të tjerë.
Qartësisht, Gjykata e Strasburgut po fishkëllon me disa gjykime drejtësinë e re dhe koston morale, fatura financiare e drejtësisë së re po i paguajnë shqiptarët.
-Është lënë data 26 për të gjetur një mirëkuptim me qeverinë shqiptare. Si do veproni dhe çfarë ju është kërkuar konkretisht nga qeveria në Tiranë?
Siç urdhëron dhe Gjykata e Strasburgut kjo është një fazë konfidenciale dhe publikimi i saj nuk mund të bëhet.
Unë pres nga shteti shqiptar parashtrimet e tij. Po besoj se nuk kemi dhe shumë hapësira për t'u marrë vesh jashtë gjyqeve.
-Çfarë kërkoni konkretisht në padi dhe nëse fitoni do detyrohet kalimi në zgjedhje të reja apo dëmshpërblim?
Mohimi i së drejtës për të ushtuar mandatin e fituar në zgjedhje. Të njohura apo të papranuara është një procedurë që nuk do të ndodhë më në Shqipëri.
Ankthi im i madh është, unë nuk mund të rikthehem më, të bëhem të bëhem kryebashkiak i Himarës, por qeveria në Tiranë, pushteti autokratik, të mos i mohojë asnjë shqiptari kurrë këtë të drejtë që i jep popullit.
-Pak ditë më parë z. Rama tha se Greqia nuk ka gjunjë të vërë veto ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Çfarë garancish mendoni se ka kryeministri shqiptar?
Unë besoj se Zoti Rama bën gabim. Mirë do ishte që jo vetëm Greqia, por asnjë shtet të mos vendos veto dhe rrugëtimi i Shqipërisë në BE të bëhet pa pengesa.
Sa i përket Greqisë, është një shtet që e ka bërë jo më shumë se një herë. Ka përdorur veton në kundërshtim me të gjitha aleatët e saj.
Në rastin e Maqedonisë së Veriut, Greqia e pengoi dhjetë vjet rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Pra, një shtet që e ka bërë një herë, unë besoj se mund ta bëj edhe për herë të dytë. Shpresoj dhe uroj kjo të mos ndodhë kurrë me Shqipërinë.
Mendoni që nuk do të ndodhë më?
Në qoftë se zoti Rama nuk do të jetë më kryetari i qeverisë shqiptare jam i bindur dhe i sigurt që nuk do ndodhi më. Por me zotin Rama siç e dini të gjithë, të gjitha janë të hapshme dhe të mundshme. Zoti Rama është i paparashikueshëm.



