Një shkollë në Dalmaci, Kroaci, do të ketë klasat e para të shqipes, si pjesë e një strategjie për të mbajtur gjallë kulturën dhe gjuhën e komunitetit të vogël të emigrantëve shqiptarë të vendosur atje shumë herët, që njihen me emrin arbanas.
Drejtori i shkollës, Rade Simicevic, i ka thënë agjencisë BIRN, se gjimnazi “Vladimir Nazor” në qytetin bregdetar Zadar ka nisur të japë orët e shqipes për 46 nxënës. Këto orë do t’u japin nxënësve të komunitetit shqiptar atje mundësinë për të njohur gjuhën dhe kulturën e tyre, një program ky i aprovuar nga Ministria kroate e Arsimit, e cila ka siguruar edhe kurrikulat.
Kjo nismë u promovua të shtunën, në prani të ambasadorëve të Kosovës dhe Shqipërisë, Uliks Emra dhe Ilir Melo.
Komuniteti arbëresh i Zadarit ka emigruar atje në shekullin XVIII.
Ata flasin një prej dialekteve më të rralla në Europë, me rreth 500 folës. Gjuha e tyre është një përzierje e gegërishtes së shqipes, kroatishtes dhe pak italisht.
Kryesisht të besimit katolik, ky komunitet nuk e sheh më veten si shqiptar, por si arbëreshë kroatë, shkruan “Balkan Insight”.
Ata kanë emigruar nga Shkodra në vitet 1726, 1727 dhe 1733, të drejtuar nga kleriku katolik, Vincenc Zmajeviç, i cili kundërshtonte me forcë myslimanizimin e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane.



