
Truri i një mashkulli 25-vjeçar që vdiq nga shpërthimi i vullkanit Vezuv në vitin 79 pas Krishtit në Pompei është shndërruar në qelq.
Studiuesit italianë kanë gjetur fragmente të një materiali të zi të qelqtë brenda kafkës në fjalë. Nga studimi rezultoi se ky material është vetë truri i njeriut, I cili është kristalizuar dhe kthyer në qelq si pasojë e nxehtësisë.
Studiuesit, të udhëhequr nga profesori i antropologjisë së Universitetit të Napolit Pier Paulo Petrone, publikuan studimin në revistën mjekësore “New England”.
Skeleti i djegur i viktimës me trurin e qelqtë ishte gjetur në vitet 1960 brenda një ndërtese (Collegium Augustalium), i varrosur nën hirin vullkanik, me shumë gjasa do të ketë qënë në gjumë gjatë ndodhisë . Për herë të parë, shkencëtarët zbuluan dhe analizuan materialin e qelqtë në kafkën e tij dhe gjetën proteina, acide yndyrore dhe trigliceride që janë tregues të indeve të trurit.
Analiza e drurit të djegur në shtratin e tij tregon se temperatura duhet të kishte arritur në 520 gradë celcius. Në temperatura të tilla, indet e buta, siç është truri, zakonisht ose dekompozohen ose shndërrohen në sapun.
Shpërthimi i Vezuvit konsiderohet nga më të fuqishmit në Europë, i cili çliroi një valë të frikshme gazrash të nxehtë dhe gurësh. Nxehtësia e saj ishte aq e madhe sa mund të ziente gjakun e njeriut, të shpërbënte mishin, dhe madje të shndërronte edhe trurin në qelq. Mendohet se sasia e energjisë termike që është çliruar nga shpërthimi është 100 mijë herë më e madhe se shpërthimi i bombës atomike në Hiroshima.



