Debati mes Taulant Ballës dhe Shkëlzen Berishës ka vijuar edhe në distance pas mbylljes së Komisionit Hetimor për CEZ.
Në prononcim për mediat pas dallies nga komisioni, Shkëlzen Berisha deklaroi se është i gatshëm të dëshmojë kurdoherë për aferën e CEZ, për aq kohë sa kryetari i Komisionit Hetimor nuk do të jetë Taulant Balla.
Në fjalën e tij përpara kamerave, Shkëlzen Berisha tha se është i gatshëm për të dëshmuar nëse komisioni nuk drejtohet nga Taulant Balla, i cili është dënuar për shpifje ndaj tij.
“Një kryetar komisioni i dënuar i cili përmend Kodin e Procedurës Penale vetëm për dëshmitarët sikur Kodi i Procedurës Penale nuk funksionon për deputetët. Unë depozitova një kërkesë ku kërkoj largimin e drejtuesit të komisionit.
Siç e patë në mënyrën më absurde, personi doli dhe tha kjo kërkesë është hedhur poshtë. Ky është një teatër politik, nuk zbatojnë asnjë rregull asnjë procedurë. Unë kam ardhur gjithmonë këtu pavarësisht konfliktit të interesit”, u shpreh Shkëlzen Berisha.
Djali i ish-kryeministrit sqaroi gjithashtu se ka bërë padi penale në Gjykatë në lidhje me këtë çështje ndaj ish-juristit të OSHEE Romeo Karaj për disa deklarata të tij që ka bërë në media.
Ndërsa në anën tjetër kreu i Komisionit Hetimor për aferën e CEZ Taulant Balla ka paralajmëruar Shkëlzen Berishën që të dëshmoje ose në të kundërt ndaj tij do të ndiqet rruga ligjore.
Duke folur para kamerave në përfundim të mbledhjes së sotme të komisionit, Balla i ka bërë thirrje Shkëlzen Berishës të betohet sepse përndryshe do të merren masat përkatëse që janë parashikuar në ligj.
“Nëse do kishim elementë të rinj komisioni do shprehej, këtu nuk ka të bëjë konflikti i interesit, por kemi koordim të tre dëshmitarëve për të mos dhënë dëshminë, lexoni fjalët e tyre, i ka shkruar një dorë. Nuel Kalaj ka marrë në llogaritë e tij bankare shuma të mëdha parash dhe prandaj ne duam t’i shkojmë deri në fund këtij hetimi. Problemi është që këta koordinohen me njëri tjetrin dhe nuk duan të dëshmojnë. E rëndësishmë është që çdo dëshmitar, në këtë komision do të dëshmojë, qoftë dhe Sali Berisha vetë. Do ndjekim rrugët ligjore për ata që nuk betohen,” tha Balla.



