
Libani do të paraqesë një ankesë zyrtare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër Izraelit për “vrasjen e qëllimshme” të gazetarit të Reuters, Issam Abdallah, i cili vdiq më 13 tetor përgjatë kufirit jugor të vendit.
Raketat izraelite thuhet se goditën një tubim reporterësh ndërkombëtarë pranë fshatit Alma al-Shaab, duke plagosur edhe gjashtë persona të tjerë.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, rreziku është gjithnjë e më i lartë që konflikti midis Izraelit dhe grupit terrorist palestinez Hamas të përhapet në Liban, ku vazhdojnë përleshjet me militantët e Hezbollahut.
Një fotograf i Associated Press, i pranishëm në tubim, pa trupin e gazetarit dhe gjashtë të plagosurit, disa prej të cilëve u dërguan me urgjencë në spital.
“Ne jemi thellësisht të pikëlluar t’ju informojmë se videografi ynë Issam Abdallah është vrarë,” tha agjencia e lajmeve Reuters.
Gazetari libanez ishte pjesë e një ekuipazhi në Libanin jugor, nga ku dha një transmetim të drejtpërdrejtë së bashku me kolegët Thaer Al-Sudani dhe Maher Nazeh, të përfshirë në bombardimet në kufi.
Abdallah u varros në qytetin e tij në një kortezh funerali ku morën pjesë qindra njerëz.
I mbështjellë me një flamur libanez, trupi i Abdallah u transportua në një barelë nëpër rrugët e fshatit Khiam, rrugës nga shtëpia e familjes së tij për në varrezat lokale.
Përveç Reuters, televizioni i Katarit Al-Jazeera dhe agjencia franceze e lajmeve Agence France-Presse raportuan se disa punonjës u plagosën në sulm.
Vëmendja e medias në kufi vjen për shkak të përleshjeve të njëpasnjëshme midis grupit të armatosur libanez Hezbollah, një aleat i Hamasit dhe Forcave të Mbrojtjes izraelite, të cilat tashmë janë vendosur në Libanin jugor prej ditësh.
Kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, dënoi bombardimet izraelite të cilat synonin gazetarët “gjatë agresionit në jug të vendit”.



