Gazetari Mir Ali Koçer rrëmbeu kamerën dhe mikrofonin duke shkuar në rajonin e prekur nga tërmeti i 6 shkurtit në Turqi, nga ku solli intervista dhe dëshmi të të mbijetuarëve.
Ai ndau histori të të mbijetuarve dhe ekipeve të shpëtimit në Twitter dhe tani është nën hetim me dyshimin për përhapjen e "lajmeve të rreme" dhe mund të përballet me deri në tre vjet burg.
Ai është një nga të paktën katër gazetarët që po hetohen për raportim apo komente mbi tërmetin.
Grupet e lirisë së shtypit thonë se dhjetëra të tjerë janë arrestuar ose penguar të raportojnë.
Të paktën 50,000 njerëz humbën jetën kur tërmetet goditën Turqinë dhe Sirinë.
Autoritetet turke nuk kanë komentuar mbi ndalimet.
Natën e tërmetit, Koçer, i cili është kurd dhe kontribuon në faqet e lajmeve pro opozitës si Bianet dhe Duvar po konsumonte duhan në ballkonin e tij në qytetin juglindor të Dijarbakirit, kur dy qentë e tij papritmas filluan të lehin. Ai kujtoi se një skenë të ngjashme e kishte përjetuar në 2020-ën, kur një tërmet më i vogël të godiste Turqinë lindore.
"Ndjeva se po dridhesha. Ndjeja se si po dridhej shtëpia, ndjeva se po dridhej televizori", tha Koçer. Ai u fsheh nën një tavolinë darke me qentë dhe më pas doli jashtë.
Koçer u largua nga Diyarbakiri dhe u nis me makinë për në qytetin e Gaziantepit. Ai u trondit nga skenat e shkatërrimit dhe viktimat që i duruan temperaturat e ulta në qytete afër epiqendrës së tërmetit.
Të paktën 3,000 nga viktimat e tërmetit vdiqën në Gaziantep. “Kur mbaj mikrofonin, pas kamerës apo para kamerës, nuk i mbaja dot lotët”, kujton ai. Duke vizituar zonat e prekura nga tërmeti, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u tha njerëzve se do të rindërtonte qytetet e tyre. Por ai paralajmëroi gjithashtu se ata që përhapin "lajme të rreme" dhe "shkaktojnë kaos social" do të ndiqen penalisht, duke i quajtur ata "provokatorë".
Koçer thotë se ndërsa raportonte nga rajoni i goditur nga tërmeti, policia e Dijarbakirit la një shënim në banesën e tij, duke e udhëzuar të paraqitej në komisariat dhe të jepte një deklaratë.
Atij iu tha se po hetohej sipas një ligji për dezinformimin e futur së fundmi. Ai tha se policia e mori në pyetje për raportimin e tij nga epiqendra e tërmetit dhe e akuzoi për përhapje të informacionit të rremë.
Ligji i ri i Turqisë u miratua në tetor. Ai kriminalizoi përhapjen publike të dezinformatave dhe i dha shtetit kompetenca shumë më të gjera për të kontrolluar faqet e lajmeve dhe mediat sociale.
Komisioni i Venecias, një mbikëqyrës ligjor i Këshillit të Evropës, tha se ligji do të ndërhynte në lirinë e shprehjes. Partitë opozitare e quajnë atë një "ligj censurë".



