Krizat gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet globale po reflektohen drejtpërdrejt në ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorin e karburanteve.
Sipas ekspertit të ekonomisë Pano Soko, rënia e importit të naftës është një zhvillim i pritshëm, i lidhur si me sjelljen e tregut ndërkombëtar ashtu edhe me mënyrën e formimit të çmimeve në vend.
Në MCN Live, Soko thekson se rritja e mëparshme e çmimeve nuk ka ardhur vetëm si pasojë e kostove reale të tregut, por edhe si rezultat i pritshmërive dhe sjelljes psikologjike të aktorëve ekonomikë.
Kriza e çmimeve ishte e pritshme dhe kjo ka ndikuar edhe në Shqipëri. Në momentin që kërceu çmimi i karburanteve në bursë, tregtarët në Shqipëri bënë një hap prapa. Kjo është një histori që do të zgjasë.
Ai shton se një pjesë e rëndësishme e luhatjeve të çmimeve lidhet me mënyrën se si importuesit menaxhojnë kohën e blerjes dhe me pritshmëritë për tregun: “Luajnë me efektin psikologjik për të bërë spekulime me çmimet.”
Sipas tij, tregu i karburanteve në Shqipëri funksionon në mënyrë të ndërlidhur me tregjet globale, por ndikimi i menjëhershëm shpesh është i ekzagjeruar nga mekanizmat e brendshëm të tregtimit dhe perceptimi i konsumatorëve.
Ne jemi një treg global… por Shqipëria nuk preket drejtpërdrejt nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit. Importuesi kur të shkojë ta blejë naftën jashtë do e blejë shtrenjtë, por kur e ka blerë më parë, pse rritet çmimi për konsumatorin?
Soko e përshkruan situatën si një kombinim mes faktorëve realë ekonomikë dhe atyre psikologjikë, duke theksuar se në tregun shqiptar këto efekte zgjasin më shumë se në ekonomitë e tjera për shkak të strukturës së tregut dhe sjelljes së aktorëve ekonomikë.



