
Tre leopardë dëbore ngordhën këtë javë nga Covid-19, në një kopsht zoologjik për fëmijë në Lincoln, Nebraska.
Leopardët e borës Ranney, Everest dhe Makalu të kopshtit zoologjik të fëmijëve ”Lincoln” rezultuan pozitivë pas disa simptomave të shfaqura në tetor.
”Kjo humbje është vërtet zemërthyese dhe ne të gjithë jemi të pikëlluar së bashku”, shkroi kopshti zoologjik të premten në një postim në Facebook.
”Kopshti zoologjik tha se nuk e di se si leopardët u infektuan me virusin. Kopshti zoologjik ka kryer një hetim të plotë të të gjithë stafi. Nuk ka asnjë provë për të identifikuar burimin e infeksionit", raportoi ”USA Today”.
Veterinerët i trajtuan me steroide dhe antibiotikë, por pa rezultat.
Dy tigra sumatranë, Axl dhe Kumar, gjithashtu u infektuan me virusin. Ata janë rikuperuar plotësisht, tha të premten kopshti zoologjik.
Kopshti zoologjik i fëmijëve ”Lincoln” ka qëndruar i hapur gjatë gjithë kohës.
Leopardët e borës janë ndër kafshët që janë prekur nga koronavirusi në kopshtet zoologjike në të gjithë vendin.
Kafshët e tjera të kopshtit zoologjik, duke përfshirë luanët, tigrat dhe gorillat, janë infektuar me COVID në kopshtet zoologjike dhe disa raste i janë atribuuar transmetimit nga mbajtësit.
Disa kopshte zoologjike kanë vaksinuar kafshët e tyre. Tetëdhjetë kafshë në Kopshtin Zoologjik dhe Botanik të Cincinnati morën dy doza të një vaksine COVID-19 të krijuar për përdorim veterinar që nga muaji i kaluar.
Kopshti Zoologjik i Fëmijëve Lincoln nuk bëri të ditur nëse kafshët e tij ishin të vaksinuara.
"Kopshti zoologjik i fëmijëve Lincoln mbetet i hapur për publikun dhe vazhdon të marrë çdo masë paraprake për të parandaluar përhapjen e COVID-19 te njerëzit dhe kafshët," tha kopshti zoologjik.



