Fundviti, Krishtlindjet dhe Viti i Ri, ngjarjet tragjike apo krizat humanitare janë ato momente kur më tepër se kurrë njerëzit kanë nevojë të ndiejnë ngrohtësi dhe ndihmën e bashkëqytetarëve të tyre.
Shqipëria, sidomos gjatë këtij muaji të fundit e ka ndjerë së tepërmi forcën e të dhuruarit dhe bamirësinë e njerëzve. Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit u bë edhe më e dukshme rëndësia dhe vlera e akteve të bamirësisë dhe ndihmës humanitare.
Ende në atmosferën e Krishtlindjeve dhe shumë pak para festimeve të Vitit të Ri, në vend ka disa grupime, fetare dhe jo fetare, institucionale dhe vullnetare, të cilët, tashmë e kanë shndërruar në traditë mbledhjen e ndihmave dhe gjendjen pranë njerëzve në nevojë. Secili prej tyre ka një strategji të vetën në mënyrën se si u gjendet pranë njerëzve.
Por, veç kësaj, në sy ra edhe diçka tjetër: spektakli i njerëzve apo grupimeve të caktuara dhe nevoja e tyre për vëmendje ndërkohë që kryenin akte bamirësie, çfarë në të vërtetë zbeh vlerën e vërtetë të aktit të dhurimit.
“Fundjavë Ndryshe” është një nismë sociale e bamirësisë në Shqipëri, e cila vepron në gjashtë qarqe të Shqipërisë dhe synon të përmirësojë shoqërinë, duke ndihmuar njerëzit në nevojë të dalin nga varfëria dhe duke udhëhequr të rinjtë drejt realizimit të veprave të mira.
MENSË SOCIALE, KËND LOJËRASH DHE SHKOLLË FORMIMI PROFESIONAL
Ndërkohë që individë apo organizime të ndryshme që kanë në fokus të tyre bamirësinë dhe veprimtarinë humane veprojnë në vend, në disa raste krijohen dyshime për fondet e grumbulluara prej tyre dhe mënyrën se si shpenzohen këto fonde, ndërsa shumëkush mund të ngrerë pyetje edhe për raportet që individë të caktuar të këtyre grupimeve mund të krijojnë me politikën.
Vetë njerëzit megjithatë duket se janë të prirur të dhurojnë dhe të qëndrojnë afër atyre që kanë nevojë.
Në vend ka dhe të tjera organizata apo fondacione që bëjnë bamirësi, si fondacioni Firdeus me drejtues imamin Elvis Naçi apo atyre në varësi të Komunitetit Mysliman. Ne kerkuam te ne tregojne mbi veprimtarine bamirese te tyre, por nuk morem nje përgjigje. Të dhuruarit apo ajo që mund të quajmë filantropia shqiptare ngjan se po zhvillohet gradualisht në nivel komunitar dhe në nivel kombëtar, duke pasur mbështetje të fortë edhe nga donatorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Edhe pse ende në vend nuk funksionojnë siç duhet mekanizmat e filantropisë dhe vullnetarizmi dhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare jeton ende nën minimumin jetik, shpirti i vërtetë i filantropisë gjendet pikërisht tek rinia, njerëzit e thjeshtë dhe sigurisht te qarqet e biznesit, të cilët duhet të vijojnë që të dhurojnë më tepër për shtresat në nevojë.
Përgatiti: Blerina Goce



