
Një javë para afatit të 31 tetorit, përcaktuar nga qeveria Kurti për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës, i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka dhënë mesazhet e tij të qarta.
Pas takimit në 17 tetor me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe dje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Lajçak, tha se u takon dy vendeve të vendosin për marrëveshjen, ndërsa shtoi se e rëndësishme është shmangia e tensioneve.
Në vizitën time të rregullt në Kosovë, jam takuar me kryeministrin për të vazhduar diskutimet tona shumë të dobishme për progresin vendimtar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, afrimin e afatit të 31 tetorit për riregjistrimin e targave dhe zhvillimet e fundit në fushën e energjisë. Mendoj se nuk është në interes të Kosovës posaçërisht në këtë kohë të rëndësishme ku procese shumë të rëndësishme po zhvillohen, diskutimet për liberalizimin e vizave, diskutimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kështu që gjëja e fundit që Kosova ka nevojë do të ishte dhuna këtu në terren.”
Kujtojmë se në 27 gusht, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ndërsa më 31 tetor përfundon afati për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.
Qeveria ka vendosur se qytetarët që përdorin targat serbe në Kosovë duhet ti kthejnë në ato të RKS. Ndërkohë në diskutimet e gushtit, i dërguari i SHBA Gabriel Eskobar dhe diplomatët evropianë, kërkuan nga Kosova që afati për konvertimin e targave të shtyhet me dhjetë muaj.



