
Me vota 89 për 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët votuan pro shpërndarjes së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës , raportojnë mediat në Kosovë. Në sallë ishin 106 deputetë. Në sallë munguan deputetët e Listës Serbe.
Kjo erdhi si pasoj e vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj i cili dha dorëheqje në korrik të këtij viti pas ftesës, që i erdhi nga Gjykata Speciale, si dhe pasi koalicioni qeverisës PAN refuzoi kërkesën e presidentit, Hashim Thaçi, për ta propozuar mandatarin e ri për kryeministër të Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit duhet të votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, me mbi 80 vota.
Tani pas shpërndarjes së kuvendit i hapet rrugë presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sot shpërndahet Kuvendi i Kosovës
Legjislatura e VI sot (e enjte) pritet ta mbajë seancën e fundit, pasi partitë politike parlamentare në fillim të këtij muaji janë pajtuar që më 22 gusht të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit. Paraprakisht, në seancën e cila fillon në orën 10:00, deputetët pritet ta votojnë Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe më pas pikën e dytë të rendit të ditës, propozimin e grupit tëdeputetëve për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Deri më tani të gjitha partitë parlamentare janë zotuar publikisht se do të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit, madje për këtë qëllim janë dorëzuar edhe 93 nënshkrime të deputetëve.
93 deputetë që nënshkruan për thirrjen e kësaj seance, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë atë që kanë nënshkruar, ndërsa pro shpërndarjes duhet të votojnë së paku 2/3 e deputetëve ose 80 vota, e cila e përcakton edhe kuorumin.
Me gjithë zotimet e liderëve politikë, ende ka dilema se mund të mos bëhen 80 votat e nevojshme për tashpërndarë Kuvendin.



