
Delegatët e Kuvendit zgjedhor të LDK-së në Mat, e cila është pjesë e degës së tretë të kësaj partie e njohur si dega e presidentit Ibrahim Rugova në Prishtinë, janë përleshur ashpër dje ndërmjet vete.
Pas shpërthimit të rrahjes ndërmjet delegatëve të Kuvendit zgjedhor të LDK-së në Mat, e cila është pjesë e degës së tretë të kësaj partie, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës.
Shtatë persona janë shoqëruar në Polici pas rrahjes që ka ndodhur të dielën në shkollën “Mitrush Kuteli” në Matiçan ku po mbahej Kuvendi zgjedhor i nëndegës së tretë të LDK-së.
Sipas burimeve të mediave kosovare brenda Policisë, për pjesëmarrje në rrahje dhe përpjekje për prishje të rendit në stacion janë shoqëruar pesë persona, ndër këta është edhe organizatori i kuvendit, Sherif Vrajolli, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të nëndegës, si dhe kundërkandidati i tij, Remzi Gashi.
Personat e tjerë të shoqëruar në Polici janë Xheladin Krasniqi, Avdulla Krasniqi dhe Diamant Borovci.
Sipas deklaratës së personave të shoqëruar në stacion, përleshja ka filluar kur është bërë numërimi i votave të pjesëmarrësve në votim nga komisionarët e numërimit të votave Xheladin Krasniqi ( i caktuar nga Sherif Vrajolli, dhe komisionarit Visar Gashi i propozuar nga Remzi Gashi,i krahut tjetër).
Ndërkohë sot lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka vendosur që të mbledhë urgjentisht kryesinë, pas incidenteve që ndodhën në disa kuvende të kësaj partie.
Sipas mediave në Kosovë, temë e këtij takimi do të jenë zhvillimet e fundit që kanë ndodhur e incidentet si ai që ndodhi dje në disa kuvende të Lidhjes Demokratike.
Ndryshe, LDK që tashmë është në proces të brendshëm zgjedhor tash e një kohë ka paralajmëruar mocion për rrëzim të Qeverisë aktuale.



