Nga një urdhër për të siguruar paratë publike, në pranga për të dyshuar si vjedhës të tyre duke i shpenzuar paratë në kazino. Kjo është fabula e skandalit në Durrës, ku zbuloi se si stafi i postës vidhte paratë dhe sot akuzojnë njëri tjetrin.
Nga një urdhër i brendshëm për të forcuar rregullat e qarkullimit të parave dhe kontrollit të llogarive financiare në postën e Durrës, gjithçka përfundoi në një ndër megavjedhjet e zbuluara me të përfshirë drejtues, vartës dhe financier.
Fundviti 2025 do ta gjente të dyshuarën Enkelejda Mata drejtuese të degës së Posta Shqiptare filiali Durrës.
Por afro 9 muaj më pas ajo është në pranga dhe në bankën e të akuzuarve si pjesë e një vjedhje të kryer në bashkëpunim.
Emisioni “FactCheck” në MCN TV, sjell një kronologji të zbulimit se në arkën e Postës Durrës mungojnë afro 69 mil lekë të reja. Prokuroria thotë se ka dyshime të jenë vjedhur, ndërsa hetimet ende vijojnë.
Sipas Prokurorisë, filmimet e kamerave dokumentojnë në disa raste lëvizjen e vlerave monetare në kundërshtim me procedurat dhe rregulloren e brendshme të Postës Shqiptare.
Pjesë nga Dosja
2 prill 2026
Pamjet e regjistruara gjatë intervalit 15:15–15:39, për rreth 24 minuta, tregojnë mbërritjen e një transporti me vlera monetare të shoqëruar nga një punonjës poste dhe një punonjës i kompanisë së sigurisë “Nazeri”.
Për këtë datë, hetuesit kanë administruar edhe mandatin e pagesës nr. 2330, me vlerë 5 milionë lekë, me destinacion degën Shijak, i firmosur nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha. Firma e arkëtares Flora Nexha dyshohet të jetë e falsifikuar.
14 prill 2026
Pamjet filmike dokumentojnë se në orën 13:06:04 Valbona Duni hyn në zyrën e saj duke mbajtur një thes me vlera monetare. Në të njëjtën datë është administruar mandati nr. 2706, me vlerë 10 milionë lekë, për degën Krujë, ku edhe firma e arkëtares Valentina Guni dyshohet të jetë e falsifikuar.
15 prill 2026
Rreth një minutë filmim, nga ora 14:13–14:14, tregon Valbona Dunin duke marrë një thes me para nga arka, në prani të Paola Danës, dhe duke e transportuar menjëherë në zyrën e saj. Për këtë datë rezulton mandati nr. 2748, me vlerë 10 milionë lekë, për degën Krujë.
20 prill 2026
Pamjet tregojnë ndihmës-arkëtaren duke i dorëzuar Valbona Dunit një qese plastike me rreth 10 fasha kartëmonedhash 5 mijë lekëshe, në prani të Paola Danës. Në orën 13:39:26, Duni largohet me qesen drejt zyrës së saj. Në të njëjtën datë rezulton mandati nr. 2866, me vlerë 5 milionë lekë, për degën Shijak.
24 prill 2026
Filmimet regjistrojnë mbërritjen e dy thasëve me para të sjellë nga kompania “Nazeri”.
Pak minuta më vonë, në orën 14:16:51, Valbona Duni merr njërin prej thasëve dhe e çon në zyrën e saj. Për këtë datë rezulton mandati nr. 3002 (i korrigjuar me dorë në 2997), me vlerë 5 milionë lekë, për degën Shijak.
30 prill 2026
Pamjet e regjistruara rreth orës 15:09–15:10 tregojnë ndihmës-arkëtaren duke mbushur një thes me para dhe duke ia dorëzuar Valbona Dunit, në prani të Paola Danës. Në 15:10:03, Duni largohet me thesin drejt zyrës së saj.
Sipas organit të akuzës, në të gjitha episodet e dokumentuara kamerat tregojnë të njëjtën skemë veprimi: vlerat monetare, pasi nxirren nga arka ose mbërrijnë nga banka, merren nga shefja e financës Valbona Duni dhe transportohen në zyrën e saj ose në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj, në kundërshtim me procedurat e parashikuara për administrimin dhe transferimin e fondeve. Për secilën prej këtyre datave rezultojnë mandate pagesash që lidhen me transfertat drejt degëve të Shijakut dhe Krujës, ndërsa disa prej firmave të arkëtarëve janë nën dyshimin e falsifikimit.
Dëshmia e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj
Pas marrjes së detyrës si drejtoreshë e filialit në fund të vitit 2025, konstatoj probleme në mënyrën e administrimit të financës dhe ndërmarr masa për forcimin e kontrollit. Me urdhra të brendshëm vendos që faturat të kontrollohen edhe nga specialisti i cilësisë dhe që çdo hyrje apo dalje e vlerave monetare të monitorohet nga specialisti i sigurisë.
Këto masa kundërshtohen nga shefja e financës, Valbona Duni, e cila debaton me mua dhe me shefin e sigurisë, duke pretenduar se kontrolli mbi financën është kompetencë e saj.
Për shkak të dyshimeve që kam mbi funksionimin e sektorit financiar, kërkoj kontroll nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare dhe informoj me e-mail grupin e auditimit se Valbona Duni transporton para nga banka me automjet privat, pa eskortë dhe pa mjet të blinduar. Pas auditit, propozoj masa disiplinore për disa punonjëse dhe kërkoj lëvizjen e tyre. Për Valbona Dunin nuk propozoj një masë të tillë, pasi nuk ka një zëvendësues për pozicionin e saj.
Në fillim të korrikut 2026, pas dorëheqjes së Valbona Dunit, më shtohen dyshimet lidhur me mënyrën e dorëzimit të financës dhe kërkoj nga drejtoria qendrore dërgimin e ekspertëve për marrjen në dorëzim të sektorit. Vetëm më 9 korrik, gjatë kontrollit të ardhur nga Tirana, njoftohem për mungesën e rreth 69 milionë lekëve. Nuk kam marrë asnjëherë vlera monetare nga arka dhe përgjegjësia për administrimin e tyre i përket sektorit të financës.
Dëshmia e shefes së financës Valbona Duni
Transferimi i fondeve nga Durrësi drejt degëve të Shijakut dhe Krujës është praktikë e zakonshme dhe se të gjitha lëvizjet kryhen me dijeninë dhe urdhrat e drejtoreshës Elisabeta Mataj. Shpjegoj se gjatë muajve prill–maj 2026 kryhen mandate pagesash me vlera që arrijnë në dhjetëra milionë lekë dhe se fondet merren nga drejtoresha për t'u transportuar drejt degëve.
Sipas asaj që më komunikon drejtoresha, kompania e sigurisë "Nazeri" ka tejkaluar limitin e transportit dhe, për këtë arsye, është vendosur që transporti të kryhet pa eskortë. Drejtoresha merr thesat me para nga arka, i çon në zyrën e saj për t'i numëruar dhe, në disa raste, i vendos në çantën personale përpara se të largohet nga institucioni.
Në fillim të qershorit 2026 konstatoj në sistem mandate pagesash të regjistruara pa dijeninë time dhe njoftoj menjëherë drejtoreshën. Për disa prej mandateve konstatoj se firmat e mia dhe të arkëtareve nuk janë autentike, çka ngre dyshime për falsifikim dokumentesh.



