
Kryebashkiaku i Finiqit, Kristo Kiço, komenton incidentin ku Presidenti Bajram Begaj, kërkoi heqjen e flamurit grek nga sheshi përpara Pallatit të Kulturës, por drejtuesit lokalë e refuzuan pasi sipas tyre bie ndesh me atë që parashikon Kushtetuta për bashkitë minoritare.
Në një lidhje me studion e lajmeve të MCN Tv, ai foli për dy ditë shumë të ngarkuara ku fillimisht në 21 dhjetor ishte Presidenti Bajram Begaj për vizitë në Finiq dhe më tej, një ditë më vonë vizita e Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
Kiço bëri të ditur se ishin përgatitur dhe kishin diskutuar edhe me stafin e Presidentit gjithë axhendën, pasi ishte vizita e parë e një Presidenti në bashkinë e Finiqit.
Në vijim bëri të ditur se në momentin që nisej eskorta e Presidentit, u njoftuan se protokolli i Presidentit nuk lejon që të ketë një flamur të një shteti tjetër përveç atij shqiptar.
Komunikimi na u bë gojarisht me telefon nga stafi i Presidentit. Nuk ramë dakord, se kjo ishte kërkesë absurde, u ndje dhe në komunitet si fyerje ndaj tij.
Ndërkohë që kishim përgatitur pritej shumë të mirë të Presidentit, me vizita me takime me intelektualë, paraqitjen e fëmijëve me kostume popullore të traditave dhe me vendosjen e një kurore në qendër të fshatit Aliko, atje ku janë vrarë katër dëshmorë të demokracisë në 1990 dhe janë dekoruar më tej nga Presidenti.
E diskutuam me Presidentin dhe stafi im dhe deputetët dhe të gjithë bashkë, kjo do zgjidhur dhe vizita në një bashki minoritare duhet trajtuar në bazë të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, se flamuri kombëtar është simbol i ndjenjës kombëtare dhe respekti për secilin nis nga respektimi i flamurit të secilit komb.
Nga momenti që shkaktoi dhe një indinjatë në gjithë minoritetin. Isha i detyruar të sqaroja opinionin lidhur me këtë ngjarje jo fort të këndshme, që ndodhi në ditën e vizitës së Presidentit të Republikës dhe një dit para vizitës së Kryeministrit grek në jug të vendit.
Me gjithë respektin për Presidentin dhe institucionin e Presidentit, nuk dua ta paragjykoj, por duhet të respektojmë rregullat dhe të drejtat ndërkombëtare lidhur me minoritetin.
Stafi i Presidentit duhet të tregojë kujdes më të madh që në të ardhmen të shmangen problematika të tilla që shkaktojnë incidente të tilla mes dy kombeve.
Kiço shtoi se një situatë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në vizita të mëparshme.
Ai kujtoi ndër të tjera se para pak ditësh ndodhi një tjetër ngjarje e “shëmtuar dhe përsëritur”, si fshirja e tabelave dygjuhëshe në rrugën nacionale Krane-Livadhja.
Kryebashkiaku i Finiqit tha se informuan për situatën dhe vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar mori masa menjëherë dhe i zëvendësoi tabelat.
Këto janë ngjarje që duhet të përpiqemi të gjithë që të shmangen, nuk duhet t’i fryjmë problematikave nacionaliste.
Se do jetë shumë më e mirë bashkëjetesa dhe respekti reciprok dhe duhet ta pranojmë njeri tjetrin ashtu siç jemi.
Çdo njeri e ka një origjinë, është krenar për kombin e tij dhe vendin e vetë. Historia na ka mësuar ta respektojmë njeri tjetrin, me traditat, kulturën dhe çdo gjë.
Se më shumë kemi diçka që na bashkon se na ndan.
Lidhur me klimën dhe raportet mes banoreve të minoritetit dhe popullsisë shqiptare, nëse ka probleme sigurie në raport me policinë, ai foli për bashkëpunim të jashtëzakonshme dhe përmirësim të situatës në raport me më parë.
Ngjarje të vogla janë të përditshme, ka kudo dhe nuk ka problematika dhe ne nuk duam të kemi problematika të tilla.
Duam marrëdhënie korrekte dhe respekti reciprok.
Sa i takon çështjes së pronësisë, nëse është diskutuar me Kryeministrin grek gjatë vizitës së tij, Kiço deklaroi se janë diskutuar disa probleme që kanë lidhje me çështjen e pronave dhe certifikatat e pronësisë.
Ai tha se se është një problematikë që duhet diskutuar dhe qeveria duhet ta ketë prioritet, duke nënvizuar se nuk ka mundësi që pas 30 vitesh zona të tëra që kanë resurse të jashtëzakonshme, të mos kenë azhurnimin fillestar.
Ka 60 mijë tituj pronësie gjithë bashkia Finiq dhe deri më tani janë dhënë vetëm 25%. Me këto ritme nuk do mbarojmë kurrë me dhënien e titujve të pronësisë.
Vendosëm që si bashki bashkë me banorët e zonës, të bëjmë kontratat me drejtorinë qendrore të ASHK dhe jemi në proces të azhornimit fillestar.
Kjo zgjatje krijon problematika se ata që i kanë marrë pronat pas viteve ‘90-të janë njerëz në moshë shumë të madhe dhe duke mos u bërë ky azhornim, vështirësohet situata për ta marrë dhe ndarë mes pjesëtarëve të familjes.
Bashkia Finiq mund të ketë çështjet më të shumta me ish-pronarë dhe kjo histori duhet parë. Vendimet e dhëna nga gjykata duhen riparë se krijohet një problematikë e cila do të duket në të ardhmen e afërt.
Edhe pajisja me certifikata në bashkinë e Finiq nuk ka përfunduar, për pronat e bashkisë të pyjeve dhe kullotave.
Duhet bërë përpjekje e jashtëzakonshme për ta qartësuar këtë situatë, se bashkia kërkon të bëhen investime dhe investitorë strategjikë, por nuk dimë ende se çfarë pronash ka bashkia dhe çfarë kanë banorët.



