
Huthit, grupi i mbështetur nga Irani, deklaruan se kanë kryer një sulm me raketë ndaj qytetit saudit të Jizanit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore që Arabia Saudite ndërmori një ditë më parë mbi objektiva të tyre në Hodeidë dhe në ishullin Kamaran në Jemen.
Sipas Huthive, sulmet saudite përbëjnë një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe nuk do të mbeten pa përgjigje, ndërsa autoritetet saudite nuk kanë reaguar ende.
Ndërkohë, për herë të parë në dy javë nuk u raportuan sulme të reja ajrore nga SHBA-ja apo Irani.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se negociatat me Teheranin po vazhdojnë, por paralajmëroi se ushtria amerikane është “plotësisht e gatshme” të intensifikojë operacionet nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane njoftoi se kishte neutralizuar një cisternë në Gjirin e Omanit, duke e akuzuar se po përpiqej të thyente bllokadën ndaj porteve iraniane.
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit dhe në Detin e Kuq vazhdojnë të ndikojnë edhe në tregjet ndërkombëtare të naftës. SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar pritet të zhvillojnë javën e ardhshme një konferencë në Londër për sigurinë në Hormuz, ndërsa të martën është planifikuar edhe takimi mes Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Këto zhvillime vijnë pasi armëpushimi i arritur në qershor mes SHBA-së dhe Iranit u shpall i përfunduar vetëm pak javë pas nënshkrimit të tij.



