Rusia ka prezantuar një stimul të ri financiar për të inkurajuar vajzat e reja që të kenë fëmijë, duke iu bashkuar Kinës dhe Japonisë në përpjekjet për të rritur numrin e lindjeve.
Një rajon rus po ofron një pagesë prej 100.000 rubla, për studentet nën 25 vjeç që lindin një fëmijë të shëndetshëm.

Kjo nismë synon të mbështesë rritjen e popullsisë së vendit mes niveleve të ulëta historike të lindjeve, thuhet në një raport të publikuar Moscow Times.
Stimulimi i ri është i disponueshëm për studentet nën moshën 25 vjeç, të cilat janë të regjistruara me kohë të plotë në një universitet apo kolegj lokal dhe banojnë në rajonin e Karelias.
Por, bonusi nuk është i disponueshëm për nënat të cilat lindin një fëmijë të vdekur.
Ligji nuk sqaron nëse pagesa do të revokohej nëse një fëmijë vdes për shkak të sindromës së vdekjes së papritur të foshnjave, ose nëse nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë të drejtë për stimulim.
Politika nuk specifikon gjithashtu nëse nënat e reja do të marrin mbështetje shtesë për kujdesin ndaj fëmijëve ose shërimin pas lindjes.
Norma e lindjeve në Rusi ka arritur një nivel të ulët historik. Vetëm 599.600 fëmijë kanë lindur në gjysmën e parë të vitit 2024, numri më i ulët në 25 vjet.
Kjo shifër është me 16.000 lindje më pak se e njëjta periudhë e vitit 2023.
Kremlini e ka quajtur situatën “katastrofike për të ardhmen e kombit”.



