Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian nuk ia dolën të kapërcejnë një ngërç diplomatik mbi Bjellorusinë të hënën, pavarësisht një apeli nga udhëheqësi kryesor i opozitës së vendit për të miratuar sanksionet ndaj zyrtarëve të akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve muajin e kaluar.
Liderja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, udhëtoi në Bruksel në përpjekje për të bindur BE-në t’i vendosë sanksione mbi 40 zyrtarëve bjellorusë lidhur me zgjedhjet e 9 gushtit, legjitimiteti i të cilave është në diskutim.
Prej gjashtë javësh në Bjellorusi protestohet kundër Presidentit Alexander Lukashenko, në pushtet prej 26 vjetësh.
"Megjithëse ekziston një vullnet i qartë për të miratuar sanksionet, unanimiteti i kërkuar nuk u arrit", u tha gazetarëve diplomati i lartë i BE Josep Borrell, i cili kryesoi takimin e ministrave të Jashtëm, duke iu referuar rregullave të BE-së për unanimitetin e 27 vendeve anëtare.
BE tha në fund të gushtit se do t’u ngrinte pasuritë dhe do t’u ndalonte udhëtimin në vendet e Unionit zyrtarëve bjellorusë.
Qipro thotë se i mbështet sanksionet ndaj Bjellorusisë, por dëshiron që blloku të veprojë edhe mbi Turqinë.
"Reagimi ynë ndaj çdo lloj shkeljeje të vlerave dhe parimeve tona thelbësore dhe themelore nuk mund të jetë a la carte. Duhet të jetë i qëndrueshëm", tha ministri i Jashtëm, Nikos Christodoulides.
Tsikhanouskaya i bëri thirrje Parlamentit Evropian të hënën, duke fituar mbështetjen e ligjvënësve të BE, të cilët javën e kaluar thanë se nuk do të njihnin legjitimitetin e Lukashenkos kur mandati i tij mbaron në nëntor.
Presidentët e Lituanisë, Polonisë dhe Rumanisë gjithashtu thanë të hënën se do t'u kërkojnë udhëheqësve të BE në samitin e kësaj jave të ofrojnë një paketë mbështetje ekonomike për Bjellorusinë nëse zhvillon zgjedhje demokratike. Kjo do të përfshinte një regjim të favorshëm tregtar me BE, udhëtime pa viza dhe mbështetje si kandidat për Organizatën Botërore të Tregtisë.



