Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me fermerët e Peqini. Basha akuzoi qeverinë Rama për dështimin sipas tij të sektorit të bujqësisë. Basha tha se Rama nuk ka mbajtur premtimet.
“Bujqësia është një ndër dështimet e mëdha të Edi Ramës, i cili jo vetëm s’ka mbajtur asnjë premtim ndaj fermerëve, por e ka përkeqësuar gjendjen e tyre me rritjen e taksave, çmimit të energjisë, naftës dhe produkteve të tjera të domosdoshme”, deklaroi Basha.
Basha tha se fermerët janë lënë pasdore, pasi nuk u janë dhënë subvencione, nuk janë bërë rrugë dhe as kanalizime.
“As subvencione s’keni marrë, asnjë metër rrugë nuk është ndërtuar, asnjë metër kanal nuk është pastruar, asnjë metër kanal ujitje nuk është ndërtuar. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, në fund të këtij dështimi vjen ju thotë do të merrni kredi 300 milionë euro, kam fonde 300 milionë, do merrni kredi. Cili nga ju, më thoni, cili nga ju është në gjendje të marrë kredi dhe të shlyejë interesat e kredisë”, u shpreh Basha.
Kreu i demokratëve tha se zgjidhja për fermerët janë subvencionet. “Në programin e Partisë Demokratike, 100 milionë euro do të akordohen si subvencione per fermerët”, tha ai.



