Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka pasur një bisedë me kreun e Shefave të Përbashkët të Shtabit Gjeneral, Mark Milley, për të diskutuar për presidentin Donald Trump dhe kodet bërthamore. Kjo vjen një ditë pas demokratët kërkuan aktivizimin e amendamentit 25, një lëvizje që pasoi sulmin në Kongresin amerikan nga mbështetësit e Trump.
"Këtë mëngjes, unë fola me kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit Mark Milley për të diskutuar masat paraprake në dispozicion për të parandaluar që një president i paqëndrueshëm ta fusë vendin në armiqësi ushtarake ose të ketë akses në kodet e nisjes dhe urdhërimin e një sulmi bërthamor," shkroi Pelosi në një letër. "Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij i çekuilibruar ndaj vendit tonë dhe demokracisë sonë."
Pelosi i tha grupit të saj parlamentar se ajo ka marrë garanci se ekzistojnë masa mbrojtëse në rast se Trump dëshiron të lëshojë një armë bërthamore.
Njoftimi nga Pelosi vjen një ditë pasi ajo i bëri thirrje zëvendëspresidentit Mike Pence të largonte Trump nga detyra duke përdorur Amendamentin 25 dhe paralajmëroi që nëse kjo nuk do të ndodhë, Kongresi mund të nisë procedurat e shkarkimit.
Letra e Pelosit ngre përsëri pikëpyetjet se çfarë duhet për të lëshuar një armë bërthamore dhe nëse komandantët ushtarakë mund të refuzojnë një urdhër nga Trump.
Vetëm Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka autoritetin të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore.
Por në kundërshtim me besimin popullor, valixhja që gjithmonë e shoqëron presidentin amerikan nuk ka butonat e nisjes. Në vend të kësaj ka pajisjet dhe dokumentet vendimmarrëse që Trumpi do t’i përdorte për të vërtetuar urdhërat e tij dhe për të nisur një raketë.
Vendimi për të filluar një sulm kërkon që Presidenti të punojë me ndihmës ushtarakë që posedojnë materialet që i duhen për të urdhëruar sulmin, si dhe personelin në të gjitha nivelet, nga komandantët e lartë deri te anëtarët e shërbimit që punojnë në kapanonet e raketave.



