
Familja Preni në fshatin Mallkuç të Fushë-Krujës si shumë familje të reja që kanë humbur shtëpinë nga tërmeti, ende nuk e dinë se si do të jetë e ardhmja e tyre.
Prej shumë muajsh jetojnë në çadër, ndërsa autoritetet e pushtetit lokal dhe qendror as nuk i kanë informuar për procesin e rindërtimit. Familjen Preni e ka vizituar ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri.
“Kanë 9 muaj gati 1 vit, s’është t’u pa kush më as nga Bashkia as nga Komuna. Bashkia ma ka nxjerrë DS4”, shprehet Indrit Preni.
“Që ditën e tërmetit, domethënë që kur ka rënë tërmeti, ne jetojmë në atë kontenier, që na e kanë sjellë por me kushte të vështira. Deri tani s’kemi parë gjë, për shëmbull me ardh me na thënë do bëhet këtu apo do bëhet atje”, thotë Desilda Preni.
Martin Jaku, kryefamiljar, ka qysh prej tërmetit të parë në 21 shtator, së bashku me familjen e tij prej 7 pjesëtarësh që jetojnë në çadra. Përpos mungesës së ndihmës nga shteti, ai thotë se institucionet shtetërore kanë qenë pengesë për ndërtimin e shtëpisë së tij, që do t’ia bënin disa fondacione fetare, pasi tek bashkia i kanë kërkuar 5 mijë euro për lejen e ndërtimit.
"Tani mu më thanë ca të fesë, me një fjalë, që mund të më ndihmojnë për shtëpinë, e kështu, se shkoi vonë. Edhe shko, duam leje ndërtimi tha. Duam një leje ndërtimi tha, se inxhinierët dhe ustallarët i biem nga jashtë shtetit. Edhe unë atë ditë çova gruan me vajzën, se isha i angazhuar me punë. Shko atje në bashki e tha ne nuk na e kanë pru zyrtare. Leja e ndërtimit bën 5 mijë euro. Edhe unë fola me këta. Unë tha të jap paret ty o Martin, të bëj shtëpinë ty, e nuk mund t’i jap 5 mijë euro shtetit!", thotë Jaku.



