
“Facebook” ka afat deri në fund të këtij viti për t’u përshtatur me ligjin rus për ruajtjen e të dhënave, përndryshe do të ndalohet njësoj siç u veprua me aplikacionin e mesazheve Telegram apo rrjetin e profesionistëve, LinkedIn.
Ligji u kërkon të gjitha rrjeteve sociale t’i japin Rusisë të dhënat e përdoruesve që janë shtetas të saj. Gjithashtu, Facebook detyrohet të heqë informacionet që konsiderohen të ndaluara, bëri të ditur komisioneri që monitoron internetin për llogari të qeverisë ruse. Ai thotë se në rast të mosplotësimit të këtyre kërkesave do të merret masa e bllokimit të shërbimit.
Rrjeti i profesionistëve, LinkedIn, është ndaluar në Rusi për të njëjtën arsye. Pak ditë më parë, Rusia bllokoi Telegramin për shkak se shërbimi i shkëmbimit të mesazheve refuzoi t’u jepte kodet që lejojnë dekriptimin e mesazheve.



