
Presidenti çek, Milos Zeman, i njohur për deklaratat e tij kontroverse, i ka quajtur vendet e BE-së frikacake pas qëndrimit të tyre kundër vendimit të Trump-it për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit. Zeman është deri tani i vetmi lider që e ka mbështetur vendimin e presidentit amerikan, përveç kryeministrit izraelit, Netanjahu.
“Bashkimi Europian, këta frikacakë po bëjnë gjithë çfarë munden që një lëvizje terroriste pro-palestineze të marrë supremacinë mbi lëvizjen pro Izraelit”, citohet ai nga mediat lokale. Zeman mbajti një fjalim në konferencën e Lëvizjes për Liri dhe Demokraci, një parti e njohur për qëndrimet euroskeptike dhe kundër emigrantëve.
Zeman është shprehur i kënaqur me deklaratën që Trump bëri javën e kaluar për Izraelin. Presidenti i Republikës Çeke ka qenë gjithnjë një zë mbështetës ndaj Izraelit. Në vitin 2013, ai ka deklaruar se do ta vlerësonte zhvendosjen e ambasadës së Çekisë në Jeruzalem dhe do të ishte i pari që do ta bënte këtë hap.
Vendimi i presidentit Trump për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jeruzalem shkaktoi reagime të forta nga vendet e BE-së.
Shefja e politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini, e cilësoi vendimin e administratës “Trump” si një “hap që mund të ketë një impakt shqetësues”.
“BE-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Ne besojmë se zgjidhja e vetme reale e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës bazohet te vetë këto dy shtete”, ka thënë ajo. / RT /



