Parlamenti shqiptar është solidarizuar me Ukrainën. I veshur me ngjyrat e flamurit ukrainas, të gjithë deputetët e pranishëm në sallë janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur në shenjë solidarizimi dhe përkrahje për Ukrainën. I pranishëm në këtë seancë plenare është edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë.
Ndërkohë nga foltorja e Kuvendit, Kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen për projekt-rezolutën ndaj Ukrainës e cila do të votohet sot në Parlament. Basha u shpreh se ky është një akt mbështetës i të gjithë popullit shqiptar.
Jemi mbledhur në një ngjarje unike për t’i dhënë mbështetjen pa kushte popullit të Ukrainës që ndodhen përballë agresionit të pashembullt nga Rusia. Ne shqiptarët jemi kombi i fundit që e kemi ndjerë në palcë, dhimbjen, masakrën nga makineria e luftës së Millosheviçit ndaj qytetarëve në Kosovë. Këto janë ditë të errëta për Ukrainën, Europën që lufton të jetojë në paqe. Ajo që po ndodh sot është një luftë që na përfshin të gjithëve. Viktimat janë familjarë, prindër, të moshuar për të cilët të gjithë ndihemi përgjegjës. Me këtë rezolutë i japim përfaqësisë tonë në KS shtysën për të bërë çdo gjë me aleatët për t’i dhënë fund kësaj çmendurie. Askush nuk duhet të ketë dyshim se çmenduria e Putin është një akt i beftë e i paplanifikuar.
Ndërsa Kryetarja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Mimi Kodheli i ka bërë thirrje sot deputetëve të miratojnë rezolutën në mbështetje të Ukrainës dhe që dënon agresionin rus. Kodheli u shpreh se kjo rezolutë është në përputhje me rezolutën e Asamblesë së OKB më 1 mars e po ashtu në unanimitet me qëndrimet e BE e SHBA.
Komisioni i Politikës së Jashtme sapo kaloi këtë rezolutë që uroj ta votojmë në unanimitet. Dënojmë agresionin rus ndaj Ukrainës. Ju falënderoj për gjithçka kemi bërë dhe do bëjmë siç e meriton dinjiteti i këtij parlamenti dhe çdo shqiptar. Kjo rezolutë është në mbështetje të rezolutës së Asamblesë së OKB të dalë më 1 mars të këtij viti, mbi agresionin mbi Ukrainës. Referuar akteve ndërkombëtare, kjo është një rezolutë që mban parasysh kartën e Kombeve të Bashkuara dhe është në unanimitet të plotë me Parlamentin Europian që doli me rezolutë tjetër më 1 mars dhe është në unanimitet me qëndrimet e BE dhe SHBA. Ne sot jemi në anën e drejtë të historisë.



