
Përgjysmimi i tarifës së studimit, rritja në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%, mbështetje e studentëve për kërkime shkencore dhe mbështetje me fonde për kërkimin shkencor, përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve, dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë, pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.
Janë këto kërkesat kryesore të studentëve drejtuar qeverisë, të cilat qëndrojnë në bazë të protestës së tyre, e cila ka hyrë tashmë në javën e tretë. Protesta, e cila shpërtheu fillimisht në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit & Arkitekturës dhe Urbanistikës u shndërrua në protestën më të madhe në vend prej shumë vitesh dhe nga shumëkush u krahasua me protestën studentore të vitit ’90.
Por, në ndryshim nga ajo protestë, e cila u bë baza për ndryshime rrënjësore të një sistemi të tërë, nuk dihet ende nëse kjo protestë do të arrijë të realizojë një ndryshim të thellë, ashtu siç u prit dhe u përshëndet edhe prej masës së madhe të njerëzve, pavarësisht se edhe në këto momente mund të thuhet se ka shënuar disa fitore të vogla.
PROTESTA E RRJETEVE SOCIALE
Për nga mënyra e organizimit të saj,por edhe e komunikimit me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, shumëkush mund ta cilësojë prostesën e studentëve edhe si protesta e rrjeteve sociale.
Protesta vijoi në ditët e para të saj para Ministrisë së Arsimit, ndërsa studentët janë shprehur vazhdimisht të vendosur për të vijuar protestën dhe mijëra protestues bllokuan Ministrinë në pritje të plotësimit të kërkesave.
Ndërkohë që ministrja Lindita Nikolla në vijim bëri me dije se ishte e hapur për debat me studentët, këta të fundit nuk pranuan të takoheshin me të dhe as me kryeministrin Edi Rama. Nikolla dhe Rama ishin të bindur fillimisht t’i qëndronin vijës së ndjekur prej tyre dhe nuk ranë dakord për ulje të tarifës së provimeve të mbartuara, për hir të asaj që ministrja e etiketoi “motivim i cilësisë”. Ndërsa kryeministri Rama i sulmoi fillimisht ata përmes Facebook, duke u shprehur se qeveria nuk do paguante për ngelësit.
Ndërkohë që mes studentëve, Lëvizjes “Për Universitetin” dhe Ramës vijon të komunikohet përmes postimeve në rrjetet sociale, vetëm brenda pak ditëve qëndrimi i Ramës ndryshoi, pasi protesta e studentëve mori përmasa edhe më të mëdha, duke bashkuar gjithë studentët e Tiranës dhe të rretheve, por edhe qyetarë të thjeshtë dhe aktivistë të shoqërisë civile.
PROTESTA DHE POLITIKA
Tashmë, kryeministri Edi Rama kërkon të dialogojë me studentët, edhe pse akuzon se po përdoren politikisht.
Vetë studentët bëjnë thirrje që partitë politike dhe politikanët të qëndrojnë larg protestës së tyre. Ata kërkojnë uljen e tarifave të larta në universitete dhe përmirësimin e kushteve në konvikte.
Protesta, tashmë është përshkallëzuar dhe ka arritur kulmin e vet, ndërkohë që edhe deputetë të PD dhe LSI mbështesin studentët, duke pohuar se tarifat e universiteteve janë më të larta se në BE. Ndërkohë, protesta e filluar si protestë e pastër studentore tashmë duket se nuk ka më frymën e mëparshme, por brenda saj kanë filluar të vihen re disa grupime të ndryshme, që disa herë janë në konflikt me njëri-tjetrin.
STUDENTËT: MUNGOJNË KUSHTET NË AUDITORE DHE KONVIKTE. TARIFAT, TË LARTA
Përtej ndasive dhe akuzave të përfshirjes së tentatukalve të politikës, ajo çfarë është vërtet e studentëve janë problematikat që ata ngrenë dhe kauza e tyre.
Vetë ata denoncojnë si flagrante mungesën e infrastrukturës në auditore.
Çështja e tarifave është një tjetër çështje që ata ngrenë si problem, porse është diçka që ndryshon në bazë të fakultetit.
Kushtet jo të mira në konvikte, janë një tjetër pikë, ku thuajse të gjithë studentët bien dakord. Në këta të fundit, situata duket se nuk ka ndryshuar në këta 28 vjet.
Por, ndërkohë që protesta e studentëve vazhdon, nuk dihet ende për sa kohë, këta të fundit do të qëndrojnë në të njëjtat kushte. Kryeministri Rama ka zhvilluar disa takime me grupe të veçantë studentësh, disa herë edhe pa dijeninë e tyre dhe duket se nuk e ka patur të lehtë komunikimin. Ai ka pranuar gabimin për kartën e studentëve dhe në portalin e bashkëqeverisjes ka publikuar planin për plotësimin e 8 pikave.
Pavarësisht këtyre, ende nuk dihet se si studentët do të vijojnë luftën e tyre dhe as ata vetë nuk duket se janë shumë të qartë në diçka të tillë, pavarësisht se thuajse të gjithë janë dakord për të ashtuquajturin bojkot mësimor deri në plotësimin e kërkesave. Ata protestuan sërish para Parlamentit, për t’u zhvendosur përballë Korpusit dhe Kryeministrisë. Paralelisht me protestën e studentëve, 50 pedagogë të Shkencave sociale kërkojnë përmes një peticioni shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, sepse sipas tyre, ky ligj është thelbi i kaosit në universitetet publike. Në Kuvend gjithashtu është debatuar për Arsimin e lartë, por megjithatë kauza e studentëve është një kauzë që ende vazhdon dhe nuk ka gjetur dritën e vet jeshile.



