Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë italiane, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, është vënë në prangat e policisë së Durrësit.
Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të zbatimit të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar, si dhe të atyre që posedojnë armë pa leje dhe lëndë narkotike, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht, i cili lëvizte në zonën e lagjes nr. 14, Durrës, shërbimet e policisë organizuan punën për kapjen e tij.
Forcat e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, janë vënë në ndjekje të një shtetasi të kërkuar.
Ky shtetas, kur ka parë se ndiqej nga policia, është larguar me shpejtësi në një zonë me kallamishte dhe errësirë të plotë, por pas disa minuta ndjekjeje dhe kontrollit të territorit, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe prangosën 38-vjeçarin nga Durrësi.
Pas shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën dhe Interpol Romën, në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi provizor me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Adem Dervishi, 38 vjeç, banues Likmetaj, Durrës.
38-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Napolit, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” parashikuar nga Kodi Penal italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën dhe agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e shtetasit Adem Dervishi, drejt Italisë.



