Policia e Elbasanit ka dhënë detaje lidhur me aksionin e sotëm policor, ku u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan armë zjarri, një minë me telekomandë dhe një sasi parash.
Në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit", në pranga të policisë kanë rënë Enver Çapja, 57 vjeç, dhe Naim Gjarri, 38 vjeç, gjithashtu janë shoqëruar dhe 8 persona të tjerë për verifikim.
Operacioni policor i kryesuar nga policia e Elbasanit, mbështetur nga FNSH, zhvilloi kontrolle në ambjentet e një bar-kafe në pronësi të shtetasit Enver Çapja në lagjen ”Emin Matraxhiu”.
Nga kontrollet në biznes u gjetën dhe sekuestruan 22 copë fishekë model 54, kalibër 7.62mm, një pale targa automjeti gjermane, një sasi prej 2110 euro dhe 372.000 lekë.
Siç bën me dije policia, gjatë momentit kur policia po kryente kontroll në lokal, shtetasi Naim Gjarri është larguar me shpejtësi në drejtim të banesës.
Policia është vënë në ndjekje të tij dhe gjatë kontrollit të banesës janë gjetur edhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
-një armë zjarri pistoletë e markës CLOCK, kalibër 9 mm, me një krehër të vendosur në të me 13 fishekë;
- një armë zjarri e tipit pistoletë e markës TT, me krehër të vendosur në të me 7 fishekë.
- 3 pako me fishekë model 54, kalibër 7.62mm, me nga 70 fishekë secila nga pakot.
- një krehër pistolete si ato të pistoletave CLOCK, me 15 fishekë model 9 mm të vendosur në të
- një pako e dyshuar si lëndë eksplozive, mine me sahat
Materialet hetimore do t'i kalojne Prokurorise prane Gjykates se Shkalles se Pare Elbasan per vepren penale te ”Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve dhe municioneve luftarake”.



