Një luftë bërrylash e titanëve të teknologjisë për të fituar një projekt të Departamentit të Mbrojtjes në SHBA përfundon në gjykatë. Rasti që ngjan me shumë të tillë në Shqipëri përfshin dy kolosët e teknologjisë dhe njerëzit më të pasur në listën e “Forbes”, Jeff Bezos dhe Bill Gates.
Në lojë hyjnë edhe preferencat apo mospëlqimet e qeverisë (në rastin konkret presidentit Trump) për njërin apo tjetrën kompani. Palët lobojnë në media kundër projekteve të paraqitura nga rivalët dhe pasi shefi i “hedh një sy” marrëveshjes, gjithçka merr “drejtimin e duhur”.
Por, fjalën e fundit e thotë drejtësia. Dhe në rastin e konkret, kompania pretendente për të fituar projektin i drejtohet gjykatës. Kjo mban pezull nisjen e zbatimit të projektit deri në shqyrtimin e rastit nga gjykata, e cila do të vlerësojë nëse kontrata me kompaninë fituese është arritur në përputhje me ligjin.
Amazon në gjykatë për t’i bllokuar Microsoft-it një kontratë 10 miliardë dollarëshe
Amazon do t'i kërkojë një gjykate federale që të bllokojë përkohësisht Microsoft (MSFT) nga zbatimi i një kontrate cloud computing, me vlerë 10 miliardë dollarë për ushtrinë amerikane, raporton CNN.
Microsoft pritej ta niste zbatimin e kontratës më 11 shkurt. Por divizioni i informatikës në “Amazon” do të kërkojë një masë paraprake për të "parandaluar lëshimin e urdhrave për çështje thelbësore sipas kontratës", thuhet në dokumentin e gjykatës. Kërkesa e Amazon do të depozitohet brenda datës 24 janar.
Kërkesa është pjesë e sfidës së vazhdueshme që “Amazon” i bën administratës Trump, mbi mënyrën e dhënies së kontratatës, për të cilën argumenton se u ndikua nga mospëlqimi i Presidentit Donald Trump për shefin e “Amazon”, Jeff Bezos, dhe “Washington Post”, një media në pronësi të Bezos. Amazon mendohej se ishte në krye të pretendentëve për të fituar kontratën me Pentagonin, përpara se Trump të zotohej se “do t’i hidhte një sy” marrëveshjes. Amazon humbi kështu kontratën për projektin, që u fitua nga Microsoft Azure në tetor.
Kontrata, e quajtur Ndërmarrja e Përbashkët për Infrastrukturën e Mbrojtjes, ose JEDI - përfshin sigurimin në cloud të të dhënave delikate ushtarake dhe teknologjike, si inteligjenca artificiale dhe Departamenti i Mbrojtjes. Kjo kontratë mund të gjenerojë të ardhura deri në 10 miliardë dollarë në 10 vite.
Pas vërejtjeve të Trump, Departamenti i Mbrojtjes e rishikoi kontratën JEDI. Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, u tërhoq nga ky rishqyrtim më pak se një muaj para dhënies së kontratës, duke përmendur si arsye punësimin e djalit të tij në IBM - i cili gjithashtu kishte qenë në garë për projektin JEDI.
Pentagoni tha që zgjodhi Microsoft sepse kompania do të ndihmojë në përmirësimin e "shpejtësisë dhe efektivitetit me të cilin ne zhvillojmë dhe pajisim me aftësi teknike të modernizuara njerëzit tanë me uniformë".
Në fund të vitit të kaluar, “Amazon” paraqiti një padi në Gjykatën e Kërkesave Federale të SHBA duke kundërshtuar vendimin.
“Microsoft” nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me këtë çështje.



