Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, mbështet më tepër Kosovën sesa Serbinë. Gazeta serbe "Danas" ka shkruar një artikull ku i ka kushtuar vëmendje të veçantë rolit të SHBA në dialogun Kosovë -Serbi. Duke iu referuar një përfaqësuesi jo zyrtar në radhët e diplomacisë, gazeta shkruan se SHBA janë më pranë Kosovës sesa Serbisë. Në artikull thuhet se Uashingtoni është i impresionuar nga demokracia e Kurtit dhe nga ana tjetër të tronditur nga autoritarizmi i Vuçiç.
Më tej gazeta shkruan se, Presidenti i Serbisë kritikohet nga institucioni amerikan, ndër të tjera, për "mungesën e sensit për dialog me kundërshtarët politikë, kontrollin e tepruar mbi mediat", si dhe "deklaratat inflamatore të bëra shpesh nga ai dhe disa bashkëpunëtorë të tij për fqinjët e Serbisë në Ballkanin Perëndimor ".
Sa i përket Kurtit, pretendohet se ai "gëzon mbështetjen e Amerikës në shumicën e segmenteve politike", megjithëse konsiderohet një "bashkëbisedues më i pakëndshëm" i Amerikës sesa paraardhësi i tij në detyrë, Avdulah Hoti. Në atë kontekst, theksohet se "Kurti dëshiron atë që përfaqëson administrata e Biden - që Kosova të marrë njohje nga Serbia". Burimi diplomatik i ka thënë gazetës qe kryeministri Albin Kurti të zbatojë reformat e premtuara, "veçanërisht ato që lidhen me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit", dhe të raportojë seriozisht" te Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila "ka lidhje të mira politike në qarqet afër Biden".



