Eksperti i çështjeve të arsimit, Ndriçim Mehmeti, e cilëson arbitrar vendimin e djeshëm të Ministrisë së Arsimit për procesin mësimor. Në studion e TvT, Mehmeti tha se vendimi duhej të ishte marrë në konsultim me komunitetin e prindërve, sindikatat, ekspertët e arsimit etj.
“Ndodhi një situatë dhe në një të tillë ti duhet të përgjigjesh me vendime që merren në bashkëpunim. Këtu ka një qëndrim që ne i dimë të gjitha dhe për fatin e tyre kanë gjetur përballë një heshtje nga komuniteti i prindërve dhe nga Komisioneri kundër Diskriminimit, pasi është shkelur neni 57 i Kushtetutës për të drejtën e arsimimit”, tha ai.
Mehmeti e cilëson të dështuar mësimin online, duke e vënë theksin sidomos te nxënësit e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
“17 mijë familje humbën shtëpitë, pak të reja mund të jenë bërë deri tani. Si mund të bësh mësim online në çadra”, tha ai.
Mehmeti ngriti një tjetër shqetësim: shkeljen e privatësisë së fëmijëve me qëllim pasqyrimin e punës së mësuesve në rrjetet sociale.
“Vetë ne jemi të interesuar që fëmijët të mos futen në rrjetet sociale. Si mund të marrësh dhe të nxjerrësh privatësinë e shtëpisë së dikujt në FB? Drejtoria arsimore jo më larg se dje u kishte thënë mësuesve bëni video të programit të lirimit dhe hidhni në FB. Ne po i detyrojmë fëmijët të hyjnë në rrjete sociale”, tha ai.



