Këtë dielë mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale. Shqiptarët në gjashtë bashki të vendit votojnë ditën e sotme për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
Janë 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do t'i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar.
KQZ ka bërë me dije se janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë. Në të 6 bashkitë do të jenë 941 qendra votimit që do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.
Në Vorë procesi i votimit ka nisur me vonesë për shkak se disa komisionerë të PD-së mbërritën me vonesë.
Ndërsa në qarkun e Shkodrës në dy njësi administrative, Shosh dhe Pult, nuk ka nisur ende votimi, pasi kutitë e votimit kanë mbetur në dëborë.
Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas zgjedhjeve.
Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti për shkak të vakancave të krijuara nga dekriminalizimi apo dorëheqjet.
Nis procesi i votimit në Lushnjë
Edhe në qytetin e Lushnjës ka nisur procesi i votimit pa problematika. Në bashkinë e Lushnjës, në garë për kryetar bashkië janë nga Partia Demokratike Indrit Sefa, nga Partia Socialiste kandidon Eriselda Sefa dhe nga koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’, Elton Bano.
Nis pa probleme procesi i votimit në Rrogozhinë
Në Rrogozhinë, procesi i votimit ka nisur pa vonesa dhe problematika mëngjesin e sotëm. Qytetarët po i drejtohen kutive të votimit, duke zgjedhur mes kandidatit socialist, Edison Memolla, atij të PD, Ferdinand Saraçi dhe të koalicionit Shtëpia e Lirisë Hekuran Xhani.
Dëbora bllokon procesin e votimit në disa zona të Dibrës dhe Shkodrës
Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në KZAZ 19 në Dibër, për zgjedhjet lokale të pjesshme.
Si pasojë e reshjeve të borës ka probleme me energjinë elektrike në Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Zall Dardhë, Zall Reç, Sllovë dhe Luzni.
Procesi i votimit ende nuk ka filluar në qendrat e votimit të këtyre njësive pasi nuk funksionon lexuesi elektronik. Në disa zona të thella ka bllokim të rrugës por janë nisur fadroma për hapjen e rrugëve.
Ndërkohë moti i keq ka vështirësuar procesin e votimit edhe në zonën e Dukagjinit në Shkodër. Bëhet me dije se janë dy njësi administrative, Shosh dhe Pult, ku nuk ka nisur ende votimi, teksa kutitë e votimit kanë mbetur në dëborë.
Pritet që çdo gjë të jetë gati pas rreth 30 apo 40 minutash, në mënyrë që qytetarët t'i drejtohen kutive të votimit.
Ndërkohë në Bashkinë Shkodër janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe procesi vijon si normalisht.



