
Gjykata Kushtetuese pa u mbyllur viti 2020 është bërë me shtatë anëtarë. Sonila Bejtja është anëtarja më e re pasi ishte e vetme në garën dhe KED e lejoi të kandidonte duke ia çuar atë Presidentit.
Bejtja, anëtarja e shtatë e Gjykatës Kushtetuese është betuar ditën e sotme në ambientet e Presidencës.
Ky betim është bërë publik nga vetë presidenca, e cila me anë të një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se me këtë betim bëhet plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.
NJOFTIMI NGA PRESIDENCA
Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, znj.Sonila Bejtja betohet para Presidentit të Republikës
Në Institucionin e Kreut të Shtetit u zhvillua sot ceremonia e betimit të anëtares së re të Gjykatës Kushtetuese, zonja Sonila Bejtja, para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit të saj nga Kreu i Shtetit, zonja Sonila Bejtja u betua para Presidentit Meta, me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë dhe duke u zotuar se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Kreu i Shtetit i uroi suksese dhe punë të mbarë gjyqtares Bejtja në detyrën e saj tepër të rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë të anëtares së Gjykatës Kushtetuese.
Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Zv/kryetarja e Kuvendit, znj.Vasilika Hysi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, znj.Vitore Tusha, Avokati i Popullit, zn.Erinda Ballanca, drejtuesja e misioni OPDAT të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, znj.Michelle Lakomy, shefi i Sektorit Politik dhe i Ngarkuar me punë në Delegacionin e BE në Tiranë, z. Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, tre që zgjidhen nga kreu i shtetit, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë e cila ende nuk është funksionale. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë një mandat nëntëvjeçar pa të drejtë riemërimi.



