
Motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, mbërriti sot në Korenë e Jugut për Lojërat Olimpike, duke u bërë kështu pjesëtarja e parë e familjes në pushtet që kalon kufirin që nga koha e luftës mes dy Koreve. Kim Yo-Jong mbërriti në aeroportin e Incheon-it në Korenë e Jugut me një avion provat aq bashku me kreun e delegacionit shtetëror, Kim Yong-nam dhe disa zyrtarë të tjerë. Kim Yong-nam është zyrtari më i lartë që ka vizituar Korenë e Jugut.
Herë e fundit që një pjesëtar i familjes në pushtet ka shkelur në Korenë e Jugut ishte në vitin 1950, kur Kim Il-sung vizitoi vendin. Edhe pse lufta mes dy Koreve përfundoi me armëpushim në vitin 1953, të dy vendet teknikisht janë ende në luftë, pasi asnjë traktat paqeje nuk është nënshkruar. Që në atë kohë, tensionet mes dy vendeve kanë qenë të forta, por Lojërat Olimpike dimërore duket se e zbutën pak klimën e konfliktit.
Motra e Kim Jong-un shtrëngoi duart me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Një moment i tillë historik nuk mund t’u shpëtonte qindra fotografëve nga e gjithë bota.



