Kandidati “Alibeajt” në Kuçovë/ Koxhaj: Shqipëria ekziston falë SHBA-ve, ndoshta koha do kërkojë rikthimin e Bashës

Kandidati “Alibeajt” në Kuçovë/ Koxhaj: Shqipëria ekziston falë SHBA-ve, ndoshta koha do kërkojë rikthimin e Bashës

Kandidati i grupimit “Alibeaj” në PD për bashkinë e Kuçovës, Ilirian Koxhaj, deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV shpreson që të gjendet gjuha për të dalë me një kandidat në zgjedhjet e 14 majit, por theksoi se nuk do të tërhiqet në asnjë rast nga gara.

Ai tha se iu bashkua grupimit “Alibeaj” ngaqë beson se Shqipëria ekziston falë mbështetjes së SHBA-ve. Koxhaj shton se ka respekt për të kaluarën e Berishës, por ka ardhur koha për lidership të ri.

Kjo është një pyetje që ia kam bërë vetes që në fillim kur filluan primaret, kur filloi lëvizja. Fakti që kam mbështetur këtë grupim që në fillim, me Bashën dhe pastaj me Alibeajn, është sepse unë besoj që Shqipëria ka ekzistuar si shtet falë mbështetjes së SHBA-ve. Nuk besoj se shqiptarët do kishin aq vullnet për të rrëzuar diktaturën, nëse s’do kishim ndërhyrje të Amerikës. Kam vendosur të mbështes këtë grupim sepse mendoj që është koha për lidership të ri. Duhet të bëjmë ndarjen nga ato 30 vjet, që kemi mbetur në tranzicion. Dua të kemi një lidership të ri, një frymë të re, jo një frymë përçarëse. Unë kandidoj  sepse dua të jem pjesë e një partie vlerash, dhe jo pjesë e një partie të lidhur direkt me kryetarin. Nëse do shkonim pas një individi të vetëm nuk jemi në demokraci, me gjithë respektin që kam për z.Berisha. Nuk ia mohoj vlerat, por çdo gjë ka një fund. Besoj dhe kam akoma shpresë që PD do gjej kanale komunikimi që mos jemi me dy kandidatë, por me një të vetëm. Deri në 30 mars besoj se do jemi me një kandidat të vetëm. Kemi pësuar një frakturë, por besoj se do të rikuperohet shpejt. Besoj që PD ka forcë, burime njerëzore, arsye, që të bashkohen përsëri, që të kuptojmë që kundërshtari ynë i vetëm sot është Edi Rama”.

Koxhaj vë në dukje se dy grupimet brenda PD duhet të bashkohen pa kërkuar vasalitet ndaj njëri-tjetrit.

Ne në Kuçovë kemi tentuar disa herë për t’u bashkuar, për të pasur një kandidat të vetëm, por s’duhet të kërkojmë vasalitet ndaj njëri tjetrit. Duhet një bashkim i natyrshëm, jo duke hequr dorë nga një grup. Ne demokratëve ajo që na bashkon është më e madhe se ajo që na ndan. Besoj se bashkimi do vijë përmes dy personave që e kanë në dorë këtë punë.  Duhet të shikojmë që kundërshtari ynë s’është grupimi i Alibeajt dhe grupimi i Rithemelimit, por Edi Rama. Unë s’tërhiqem nga kandidimi sido të vijë situata. Nuk bëj llogaritë e votave, s’i shoh qytetarët e mi të konvertuar në vota. S’do tërhiqem nga gara edhe nëse do jemi me dy kandidatë, gjë që s’e uroj”.

Ai tha se nuk ka komunikim me Bashën, por shtoi se në një moment të dytë njerëzit dhe koha mund të kërkojnë rikthimin e tij. Megjithatë Koxhaj theksoi se për momentin sheh në pozita më të forta Alibeajn se sa Bashën.

Nuk kam qenë në komunikim me z.Basha. Nuk i shërbej një personi të vetëm, i shërbej PD-së, bashkëqytetarëve të mi. Edhe me z.Alibeaj, përveç atij në Kolegjin e Kryetarëve s’kam pasur takime të tjera. Ai e ka bërë vet të qartë. Është tërhequr një hap mbrapa. Ndoshta në një moment të dytë, vetë njerëzit, vetë koha do ta kërkojë rikthimin e tij. Por nuk shoh që z.Basha të jetë aktiv, shoh që z.Alibeaj ka marrë pozitat e drejtuesit, dhe e shoh në pozitë të mirë. Jam optimist se njerëzit do dinë të vendosin, të bëjnë diferencën, 14 maji do ndajë dy botë për shqiptarët”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy