Banorët e zonës së Astirit në Tiranë kanë vazhduar protestën e tyre për të 16 ditë me radhë për të mbrojtur shtëpitë nga shembja e cila do t’i hapë rrugën ndërtimit të projektit të ri të Unazës së Re.
Banorët shprehen se do të mbrojnë shtëpitë e tyre, dhe më pas kanë hequr rrethimin në hyrje të Unazës së Re, ndërsa policia nuk i ka lejuar të bllokojnë sheshin.
Tensionimi i situatës ka ardhur pas pretendimeve se disa banorë janë shoqëruar në komisariatin e policisë.
Me thirrje kundër qeverisë dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj kanë kërkuar dëmshpërblim 100% të pronave të tyre. Deputetë të opozitës ndodhen sërish pranë protestuesve.
Ndërkohë Banorët i kanë vënë flakën kontenierëve të plehrave. Tensionet mes banorëve dhe policisë vazhdojnë. Protestuesit kërkojnë të prishin të gjithë rrethimin e firmës ndërtuese, ndërsa policia është bërë kordon para tij.
Të pranishëm në protestë ishin edhe deputetë e Partisë Demokratike të cilët qendrijnë në krahë të banorëve që prej 16 ditësh protestojnë çdo ditë kundër prishjes së banesave të tyre.
“Shtëpitë tona janë me gjak”, kanë thirrur banorët. “O Erion o legen, prite popullin se po vjen”, “Erion Veliaj këtu vendosim ne”, “Edi Rama o legen, shtëpitë tona nuk i shemb”, “Poshtë qeveria e korruptuar” kanë qenë disa nga parullat e banorëve në protestë.
Nga ana e saj qeveria dhe bashkia kanë folur dhe premtuar për dëmshpërblim të atyre banorëve që posedojnë shtëpi të legalizuara, ndërsa ata “pa letra” do t’u jepet një shtëpi me qera për një afat kohor 3 vjeçar.



