
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke folur për ndryshimet në qeveri, veçoi si më të përfolura largimet e Belinda Balluku dhe Elisa Spiropali.
Ajo u shpreh se kryeministri Edi Rama ishte i detyruar t’i bënte këto lëvizje në qeveri, ndërsa e cilësoi largimin e Spiropalit si një “kurban” të Ballukut, duke lënë të kuptohet se pas rokadave fshihen balanca dhe dinamika të brendshme politike.
Së pari mendoj se zoti Rama ishte i detyruar ti bënte këto lëvizje, për shkak se e kishte lakun në fyt, rasti Balluku, AKSHI dhe hetimi i disa deputeve. Kështuqë nga këto rrethana, zoti Rama ishte i detyruar për ndryshime në qeveri.
Rama i është nënshtruar Ballukut, Spiropali ishte kurban i saj. Spiropali ndodhej në Kosovë, e ka shkarkuar pa e pritur të kthehet. Kanë patur rivalitet të fortë me njëra tjetrën, për shkak të një pushteti që kanë dashur të mbajnë brenda PS.
Balluku është larguar por ka lënë të besuarit pas. Enea Karakaçi ka qenë administrator i OSHEE. E lidh me një kontroll që SPAK ka kryer në zyrën e tij, në kuadër të një hetimi për tenderët. Në rrethet e ngushta pranë OSHEE, ai konsiderohet ndër njerëzit më të besuar të Belinda Ballukut.
Ermal Nufi, një personazh që nuk thotë shumë por vijon të jetë ndër të besuarit e Ballukut. pak ditë më parë ishte në Prokurorinë e Tiranës, për një hetim për korporatën e investimeve.
Albana Koçiu kishte dështim në krye të ministrisë së brendshme, nuk la asnjë rekord. Merr post honorifik, si zv.kryeministre.
Rikthehet në shtëpinë e vet, Besfort Lamallari. Mendoj se në të gjithë ndryshimet barra më e madhe i bie atij, pasi do të gjendet para një policie të lidhur me krimin dhe të korruptuar. Duhet të menaxhojë të gjithë situatën e segmenteve problematike të policisë.
Sa i përket ndryshimeve, për zotin Ferid Hoxha, e njoh si diplomat karriere. Di që vëllai i zotit Hoxha është një prej personave të dyshuar që lidhet me skandalin e AKSHI.
Për zotin Toni Gogu, mund të them se njihet si pjesë e klanit Veliaj, ndoshta zoti Rama po zbut edhe këtë me Veliajn.



