
Një 27 vjeçar, i cili u arrestua disa javë më parë për vjedhje, aktualisht ndodhet në gjendje kome në spital. Bëhet fjalë për 27-vjeçarin, Jani Rustemaj, për të cilin, e ëma thotë se kjo gjendje e të birit vjen si pasojë e pakujdesisë nga ana e rendit.
Lidhur me këtë rast, zevendëskomisionerja e Avokatit të Popullit Nertila Qafzezi, në një komunikim për MCN lajme, thotë se institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim administrativ të detajuar.
Sipas saj, janë administruar të gjitha dokumentacionet e institucioneve në të cilat është paraqitur i riu, deri në momentin e rënies në koma.
Pas raportimeve në media dhe njohjen me rastin, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim administrativ mbi rastin.
Avokati i Popullit ka ngritur një grup inspektimi të cilët janë paraqitur pranë Bllokut sigurisë Tiranë, IEPV 313 Tiranë dhe Komisariatit të Policisë nr.2, Tiranë, të tre këto institucione në të cilat personi në fjalë ka qëndruar.
Lidhur me këtë rast jemi duke kryer një hetim të thelluar, kemi administruar të gjithë dokumentacionin që ndodhet në bllokun e sigurisë, gjithashtu kemi marrë informacionin e nevojshëm edhe nga burgu si de nga oficeri i policisë i komisariatit nr. 2 që ka bërë shoqërimin dhe më tej arrestimin e këtij personi.
Gjithashtu kemi marrë edhe deklaratën e mjekut dhe kemi administruar të gjithë dokumentacion e nevojshëm.
Jemi duke kryer një hetim administrativ të thelluar dhe kemi kërkuar në mënyrë të menjëhershme nga të gjitha institucionet informacion të detajuar, sidomos nga QSUT, që mund të na jap një përgjigje se çfarë ka çuar në koma si dhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për një hetim sa më efektiv për përgjigje më të sakta dhe më të detajuara.



