Gazetari sportiv Seno Fishta duke folur në “Mcn Informacion” mbi Vllazninë theksoi se ekipi aktual i Martinit është ndër më të mirat në 25 vitet e fundit. Fishta mendon që ekipet që mund t’i rivalizojnë kuqeblutë deri në fund të sezonit janë Dinamo dhe Egnatia. I pyetur se çfarë mund ta pengojë Vllazninë në vijim, Fishta i druhet vetëm dy faktorëve, vetkënaqësisë apo problematikave në financa.
“Është bërë një punë e mirë te Vllaznia, grupi ka harmoni. Ekipi është në formën e vet maksimale, shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund. Vllaznia-Tirana është një klasike që e kemi pritur gjithmonë me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Tani me 4 faza është disi më ndryshe, por prapë interesi i klasikes mbetet gjithmonë. Tirana është ekip i paparashikueshëm, kur ka patur ekip të dobët ka marrë trofe. Ka qenë një rivalitet që s’dihej kurrë si përfundonte ndeshja.
Nga dy ekipet që mund t’i krahasojmë të Bërdariçit dhe Martinit, mendoj që ekipi i Martinit është ndër ekipet më të mira të 25 vitet e fundit. Ka dy fantazista, që kemi vite që kemi vuajtur për lojtarë 10-sha. Martini është një prej nesh, jo vetëm si trajner, por e ka treguar gjithmonë se është tifoz.
Martini ka krijuar grup me lojtarë shumë cilësorë, i ka dubluar të gjitha repartet, lojtarë me të njëjtin nivel, e njeh mentalitetin e Shkodrës, di si t’i motivojë lojtarët. Besoj se ka ardhur për bastin e madh për të dalë kampion. Dinamo dhe Egnatia do jenë ekipet që do na rivalizojnë. Vllazninë mund ta pengojnë vetëm dy gjëra, vetkënaqsia dhe financat nëse do ketë problematika. Vllazninë e shoh ekip të kompletuar”.



