
Një diamant rozë shumë i rrallë është zbuluar në Angola. Sipas kompanisë australiane Lucapa Diamond, diamanti 170 karat është më i madhi i zbuluar ndonjëherë në 300 vitet e fundit.
Diamantin e kanë quajtur “Lulo Rose”, në sajë të vendit ku u nxor.
Ky diamant rozë spektakolar vazhdon të dëshmojë se Angola është një lojtar i rëndësishëm në skenat botërore të minierave të diamanteve.
Kështu tha ministri Angolez për Burimet Minerale, Diamantino Azevedo.
Miniera Lulo ka prodhuar tashmë dy diamantet më të mëdhenj të gjetur ndonjëherë në Angola, duke përfshirë një gur 404 karatësh dhe mbi 27 gurë të çmuar mbi 100 karat.
Diamanti rozë do të shitet në ankande ndërkombëtare, ndoshta me një çmim astronomik, megjithëse do të duhet pak kohë për ta prerë dhe lustruar, një proces delikat në të cilin një gur mund të humbasë 50% të peshës së tij.



